Qytetari në qendër të buxhetit të shtetit, në 3 vitet e ardhshme

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Buxheti në 3 vitet e ardhshme ka në qendër qytetarin, rritjen e mirëqenies, rritjen ekonomike, si dhe rritjen e aksesit e cilësisë së jetës nga kryeqyteti, deri në skajet më të larta të vendit.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë punimeve të konferencës “Përparësi dhe politika në Programin Buxhetor Afatmesëm 2019-2021” që u mbajt sot në Tiranë.

Ne synojmë të vendosim, vuri në dukje ministri, një sistem që nxit transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në administrim dhe përdorimin e burimeve financiare për shërbime më të mira dhe zhvillim ekonomik.

Qytetarët, tha Ahmetaj, kërkojnë të dinë direkt dhe indirekt edhe transparencën e shpenzimeve buxhetore.

“Rritja e ekonomisë shqiptare vazhdon për të katërtin vit radhazi. Në 2017 llogaritet 3.8% ndërsa pritet që në këtë vit të shkojë në 4.2% dhe të vijojë të rritet përtej kësaj shifre edhe në vitet në vijim e përputhur me objektivin e qeverisë në një mesatare prej 4.5% në periudhën katërvjeçare”, – deklaroi kreu i financave publike.

Rritja ekonomike, tha ai, mbështetet nga rritja e konsumit e bazuar në rritjen e besimit të konsumatorëve, rritja e investimeve dhe eksporteve e në veçanti rritja e eksportit të shërbimeve, ku përfshihet edhe turizmi.

Duke folur për punësimin në vend, ministri Ahmetaj theksoi se pikërisht modeli i ri ekonomik i ndjekur nga kjo qeveri çoi në rritjen e punësimit dhe uljen në nivele rekord prej 12.5% të papunësisë në 27 vite tranzicion. Por theksoi ai, objektivi i qeverisë është zbritja e nivelit të papunësisë në nivele njëshifrore.

“Koha kur kishte rritje ekonomike të pashoqëruar me punësim ka mbaruar. Janë në fund të vitit 2017 në bordero të regjistruar 667 mijë të punësuar, nga 420 që ishin në vitin 2013”, deklaroi ministri. /a.gjonaj/ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.