Ballina Kryesore

Ankesa në platformën e bashkëqeverisjes, 101 mësues përfitojnë rritjen e pagës

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155897300331523/

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Maela Marini/ -101 mësues të praktikave profesionale në gjithë Shqipërinë janë përfitues të rritjes së pagës në masën 8400 lekë, pas adresimit në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, si pasojë e së cilës u korrigjua Vendimi i Këshillit të Ministrave.

Në një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama bëri sërish thirrje për aplikimin në platformën e bashkëqeverisjes, që sipas tij, “vë në lëvizje të gjithë mekanizmin ligjor dhe administrativ të qeverisë për adresimin e problemit të çdo qytetari apo komuniteti”.

“Më vjen shumë mirë që njerëzit e zakonshëm shtohen përditë, ashtu sikundër rriten përditë rezultatet pozitive në numër falë përfshirjes së njerëzve gjithmonë e më shumë, me besimin se në fund të fundit ky është një instrument që duhet përdorur dhe mund të sjellë zgjidhjen e shumëpritur”, – tha Rama.

Ai solli shembullin konkret të zgjidhjes së një ankese të mësuesve të shkollës “Pavarësia” në Vlorë, të cilët pas adresimit në këtë platformë, arritën në korigjimin dhe ndryshimin e një Vendimi të Këshillit të Ministrave.

Mësuesi Taulant Brahimuço, nga shkolla profesionale “Pavarësia”, në Vlorë, iu adresua kësaj platforme për një VKM të vitit 2017 me numër 175, ku kategoria e grupit të mësuesve të shkollave profesionale nuk ishte përfshirë në këtë VKM për rritjen e pagave në sistemin parauniversitar.

Ai theksoi se “ankesa fillimisht u dërgua në Ministrinë e Financave, e cila konfirmoi shqetësimin lidhur me atë VKM, e cila pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes u korrigjua dhe u miratua në datën 16 maj”.

“Ne kishim problemin e pozicionit të mësuesit të praktikës profesionale të munguar në VKM-në e vitit 2017 për rritjen e pagave. Jemi një grup prej 9 mësuesish në atë shkollë. Iu drejtuam platformës për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe në kohë rekord brenda shumë pak ditësh, as 2 javë, kjo VKM u miratua. Na u duk e pabesueshme dhe tani jemi përfitues të një rritje në pagë prej 8400 lekë të reja neto nga ky ndryshim”, – tha mësuesi.

Kryeministri vlerësoi faktin që “në morinë e problemeve dhe çështjeve që njerëzit duan të trajtojnë me të drejtë, platforma trajton edhe çështje të kësaj natyre, për grupe të caktuara interesi”.

“Zgjidhja në disa raste vonon për shkak të burokracisë dhe mungesës së vëmendjes së menjëhershme, që do të thotë se platforma e bën të mundur pikërisht atë që na duhet ta kthejmë në kulturë të administratës: vëmendjen e menjëhershme për një problem që prek drejtpërdrejt një person, një familje, apo një grup të tërë personash, si në rastin e mësuesve të praktikës profesionale”, – tha Rama.

Platforma, sipas tij, është as më shumë e as më pak, por një transformim teknologjik i zyrave të vjetra e tradicionale të marrëdhënieve me publikun, që kanë dëshmuar se nuk janë rezultative.

“Kthimi i gjithë rrjetit të zyrave në një aplikacion në xhepin e çdo qytetari, është krijimi i një rruge shumë të shpejt që lidh qytetarin me titullarin më të lartë në sektorin ku shqetësimi ka lindur. Ministri vihet menjëherë në dispozicion të qytetarit dhe në 3 minuta realizohet lidhja që njerëzit e kanë kërkuar”, – tha Rama.

Kjo, sipas tij, “zgjidh problemin pa pasur nevojën e mikut apo ryshfetit”.

Kryeministri theksoi se platforma është një armë për të luftuar së bashku ndaj gjithë kësaj tradite penguese dhe ndihmon që të kemi realisht një administratë që reagon menjëherë.

“Dita-ditës platforma jo vetëm zgjidh probleme, por çon mesazhe te çdo punonjës i zyrave të shtetit që nuk duhet të kesh frikë nëse të ndërhyn dikush nga lart, apo një mik për të zgjidhur problemin e një njeriu të zakonshëm, por duhet të kesh frikë sapo të kontakton një njeri i zakonshëm, sepse kushdo mund të bëjë përgjegjës për mosveprimin tënd”, – tha Rama.

Ai theksoi se “platforma e fuqizon çdo qytetar që në vetëm 3 minuta të ketë në krahë titullarin më të lartë dhe që në mënyrë ligjore të zgjidhë problemin”.

“Platforma garanton që më pas të fillojnë hetimet administrative për të gjithë ata që janë bërë pengesë. Ne vazhdojmë me largimet nga puna të punonjësve, deri edhe në ndjekje penale”, – shtoi ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Samit për çështjen e migrantëve
Artikulli tjetërKOMENT – Kur Messi ftohet, Argjentina teshtin