PRISHTINË, 19 qershor/ATSH/.- Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin e ri të shtetit fqinj, krijon klimë të mirë rajonale dhe hap perspektivë euroatlantike për shtetet e Ballkanit.
Kështu theksoi sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi në Prishtinë me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani.
“Çdo lajm i mirë nga Maqedonia është lajm i mirë edhe për Kosovën”, theksoi Thaçi.
Presidenti Thaçi dhe zëvendëskryeministri Osmani biseduan edhe për zhvillimet aktuale në Maqedoni, ku forcat politike shqiptare po luajnë rol pozitiv rreth avancimit të të drejtave politike dhe sociale.
Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë konsiderohet më e rëndësishmja pas asaj të Ohrit./k.s/
























