Ballina Ekonomi

Lufta kundër informalitetit, regjistrim online i çdo transaksioni

TIRANË, 19 qershor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria po përgatitet për një inovacion të rëndësishëm teknologjik në funksion të biznesit të formalizuar, regjistrimin online të çdo transaksioni në kohë reale.

Në një takim në Durrës me operatorë turistikë, kryeministri Edi Rama u ndal te problemi i informalitetit në sektorin e turizmit, duke nënvizuar progresin e deritanishëm në këtë drejtim.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri vlerësoi se “kemi një transformim që ka kohë që ka filluar për ta bërë Durrësin një vend mikpritës për të gjithë”.

“Ne kemi një rritje të konsiderueshme të formalizimit të ekonomisë dhe transaksioneve që bëhen në strukturat e mikpritjes. Marrja e kuponit sot është shumë më e pranishme se sa ishte. Natyrisht që ka ende boshllëqe që duhen mbushur”, tha Rama.

Në këtë drejtim ai foli për regjistrimin online të çdo transaksioni në kohë reale, një model i zbatuar me shumë sukses në Kroaci dhe vende të tjera të rajonit.

Rama tha se Ministria e Financave po punon intensivisht për këtë program që do të vihet në dispozicion të të gjitha bizneseve.

“Sot ne regjistrojmë xhiron ditore përmes kasave fiskale, ndërkohë që regjistrimi në një kohë reale i çdo transaksioni është domosdoshmëri dhe lehtëson bizneset nga barra e rëndë e mirëmbajtjes së kasave”, tha Rama. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMallrat “Made in Albania” drejt tregjeve të BE-së
Artikulli tjetërSHBA – Trump kërcënon të taksojë 200 miliardë dollarë importe kineze