Ballina Ekonomi

“Rruga e Arbrit” do të përfundojë brenda këtij mandati qeverisës

TIRANË, 17 qershor/ATSH/- Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u premtoi sot dibranëve se “Rruga e Arbrit”, e cila nis sot, do të përfundojë brenda këtij mandati qeverisës.

Ministri e ka cilësuar këtë aks rrugor prej 69 kilometrash që do të lidhë brenda një ore Peshkopinë me Tiranën motorin nxitës të zhvillimit të zonës.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge, pjesë e projektit “1 miliard për rindërtim” nisën sot zyrtarisht dhe sipas kreut të MIE-s, nuk do të ndalojnë asnjë ditë, deri sa distanca Peshkopi-Tiranë të jetë jo më shumë se një orë.

Ministri bëri të ditur se shumë prej dibranëve, kur kjo qeveri premtoi ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” ishin skeptikë, pasi ishin mashtruar prej atyre që bënë pak kilometra për qëllime elektorale.

Por ministri informoi dibranët se edhe ato pak kilometra të ndërtuara nga qeveria Berisha u paguan nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama.

“Nga shtatori i 2013-s kjo qeveri e drejtuar nga Edi Rama ka financuar 22 milionë euro të lëna borxh nga qeveria Berisha e cila hapte kantiere rrugësh për qëllime elektorale”, – deklaroi ministri Gjiknuri.

“Rruga e Arbrit” po bëhet realitet, u shpreh Gjiknuri, falë angazhimit të Edi Ramës, kryeministrit të fjalës së mbajtur.

Ministri po ashtu informoi se në projektin e vjetër janë kryer ndërhyrje të shumta me qëllim rritjen e standardit të rrugës dhe shtimin e elementëve të sigurisë.

“Projekti i vjetër kishte shumë probleme. Ne i korrigjuam me ndërhyrje rrënjësore në projekt për rritjen e e standardit të rrugës por edhe shkurtimin e distancës Dibër-Tiranë në vetëm 69 km”, – tha Gjiknuri

Kreu i MIE-s, tha po ashtu se projekti i ri ka të dhëna teknike më të sigurta si në pjerrësinë maksimale edhe në gjatësinë e tuneleve e standardeve në to.

Po ashtu, ai bëri të ditur se ndërhyrja në projektin e tunelit të Murrizit shmang kthesat e dyfishta me rrezikshmëri të lartë.

Rruga tha ministri, nuk u shërben vetëm dibranëve, por edhe zonës së Matit dhe Burrelit, pasi kemi bërë të mundur edhe degëzimin e segmentit Klos-Ura e Vashës.

“Nuk do të ndërtojmë asnjë kilometër rrugë për qëllime elektorale, por për të realizuar një rrugë me standarde europiane, siç e meriton Dibra”, – u shpreh Gjiknuri.

Ministri duke folur për rrugët hodhi poshtë edhe deklaratat e bëra nga qeveria Berisha se ka ndërtuar 10 mijë km rrugë. /a.gjonaj/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPARIS – TF1 regjistron 12,6 milionë telespektatorë për ndeshjen Francë-Australi
Artikulli tjetër“Rruga e Arbrit”, banorët projektojnë zhvillimin e agroturizmit