“Rruga e Arbrit”, banorët projektojnë zhvillimin e agroturizmit

TIRANË, 17 qershor/ATSH/- Nisja e punimeve për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” është pritur me entuziazëm edhe nga qytetarët dibranë, të cilët e kanë quajtur atë “rruga e ëndrrave tona”.

Një banor i Dibrës, i cili deri 4 vite më parë ishte emigrant shprehet se ndërtimi i kësaj rruge i krijon mundësi të mëdha zhvillimit të agroturizmit.

“Deri katër vite më parë isha emigrant. U ktheva dhe nisa punë në minierën e Bulqizës. Me lekët e mbledhura hapa shtëpinë time të vjetër, duke e kthyer atë në një bujtinë të vogël për turistë. Ndërtimi i ‘Rrugës së Arbrit’ do të sjellë më tepër turistë”, – thotë banori i Dibrës.

Ai u bën thirrje dibranëve të investojnë në agroturizëm, pasi është një ndër sektorët fitimprurës edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Sektori i agroturizmit, sipas tij, do të zhvillohet falë edhe mbështetjes me politika fiskale që po ndërmerr Kryeministri.

Por me mjaft interes e shikojnë edhe të rinjtë gjimnazistë ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”.

Adrina Shini maturante e shkollës “Gjergj Kastrioti” shprehet se “Rruga e Arbrit” përbën një shpresë që në një të ardhme të afërt “unë dhe shumica e studentëve të kësaj zone të kthehemi sërish në Dibrën tonë”. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.