TIRANE, 17 qershor/ATSH/- Ndërsa mandati i parë qeverisës ishte larja e borxheve lënë nga qeveria e mëparshme, ky mandat do të jetë mandati i shumë kantiereve të shumëpritura për dekada të tëra.
Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama sot në takimin me banorë të Peshkopisë.
Ai tha se “nuk kam ardhur të laj këtu hesapet me Saliun, se me Saliun dhe partinë e Babales i lau hesapet vetë e gjithë Shqipëria, nga Dibra këtu e kudo tjetër. Por kam ardhur për të ju thënë se ky mandat do jetë mandati i shumë kantiereve të shumëpritura për dekada të tëra. Unë e di që Shqipëria ka nevojë për shumë e shumë më tepër akoma. Por Shqipëria është një shtëpi, si shtëpia e gjithësecilit prej jush. Dhe nëse shtëpi ka fatkeqësi që një kryefamiljar i papërgjegjshëm i ka lënë të gjitha paratë në bixhoz dhe e ka zhytur familjen në borxhe, familja duhet të lajë borxhet për të shpëtuar shtëpinë e pastaj të krijojë mundësitë për ta zgjeruar shtëpinë. Mandatin e parë ne i lamë borxhet dhe e shpëtuam shtëpinë, këtë mandat ne do ta zgjerojmë shtëpinë”, – premtoi Kreu i Ekzekutivit.
Puna të ndahet, vijoi ai, qeverisë llogaridhënien, dibranëve dhe gjithë shqiptarëve mbështetjen deri në fund, duke reflektuar gjatë gjithë procesit, apelin e një dibranit të madh, Hoxhë Vokrrit në veprën e tij rilindase, “Ferrëfenjësja e myslimanëve”: “Para Zotit dhe popullit do të jenë përgjegjës të gjithë ulematë, hoxhallarët dhe intelektualët e kohës, pse në kohën e tyre ndër shqiptarët ka pasur ndarje dhe përçarje”. Vaftë kjo fjalë në vesh të Perëndisë, në çdo zemër të shqiptarisë dhe në çdo mendje, në Peshkopi dhe në gjithë Dibrën!”
“Sa më shumë të jemi të bashkuar, aq më shumë mund të bëjmë për Shqipërinë, por jo vetëm kaq, aq më pak borxhe në shpirt dhe plagë në zemër do t’u lëmë fëmijëve tanë”, – përfundoi Kryeministri Rama. /a.g/























