Transformimi i vendgrumbullimit të mbetjeve në Durrës në park

92

ERTV Live😊: Në skëterrën e Porto Romanos, ku nevojës ulëritëse të shumë dekadave, do t’i përgjigjemi me një projekt transformimi rrënjësor të plagës së vjetër mjedisore në një park të ri të qytetit të Durrësit – brenda 18 muajsh👍

Posted by Edi Rama on E mërkurë, 13 Qershor 2018

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ – Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në zonën e Porto-Romanos, në Durrës, është kthyer prej vitesh në një vatër emergjence mjedisore, burim ndotjesh, me dëme të pariparueshme për tokën dhe shëndetin.

Vendndodhja e saj, dikur larg qendrave të banuara, tani është zhvendosur fare pranë tyre, si pasojë e zgjerimit të qytetit, duke e bërë më alarmante ekzistencën e saj.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, ishte sot në këtë zonë, për të parë nga afër situatën, e cila sa vjen dhe bëhet më shqetësuese për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama tha se rruga e vetme për t’i dhënë fund njëherë e mirë ekzistencës së kësaj zone, është realizimi i projektit, në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit për mbylljen e fushës dhe transformimin e saj në një park të madh të qytetit të Durrësit.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se ndalimi i përdorimit të qeseve plastike është kthyer në domosdoshmëri dhe se masat duhet të jenë të menjëhershme.

“Këtu prej 30 vitesh është si skena e filmit ‘Apocalypse Now’. Ajo që duhet të bëjmë është që të vazhdojmë atë procesin e bashkëpunimit që kemi nisur për të bërë mbylljen e kësaj fushe, transformimin në një park të madh të qytetit, organizimin e ri për t’i çuar mbetjet në impiantin e Tiranës, duke pasur një llogari të qartë edhe për kostot që mund të jenë të përballueshme”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “kudo që hedh sytë nëpër Shqipëri, kemi një situatë me qeset që është e papranueshme dhe që nuk ka për të ndryshuar për shumë vite mesa duket”.

“Ideja që qytetarët të bëhen të vetëdijshëm dhe të sillen si patriot me mjedisin, duke dhënë secili atë kontributin e vogël që të ndajë mbetjet dhe të mos jetë ndotës në masën e madhe të ndotësve, por të jetë kontribuues në masën e madhe të kontribuuesve, është një utopi, që nuk ka për të dhënë rezultate nëqoftëse ne nuk jemi radikal në këtë aspekt”, shtoi ai.

Në këtë drejtim, Rama kërkoi që të studiohet deri në fund dhe pa humbur kohë Moratoriumi i qeseve plastike dhe ta bëjmë Shqipërinë vendin që jo vetëm nuk i përdor dhe nuk i prodhon, por edhe i ndalon në hyrje.

“Çdokush që hyn në Shqipëri, ta dijë përpara, siç e dinë ata që hynë në disa nga vendet që e kanë hapur këtë kapitull të ri për njerëzimin, që s’mund të fusësh qese as në aeroport, as në port, as në hyrjen kufitare me makinë, se ndryshe penalizohesh. Të gjitha qeset dorëzohen para se të shkelësh në Republikën e Shqipërisë. Kjo është e vetmja mundësi që shoh unë për t’u ndarë nga kjo e kaluar dhe pastaj njerëzit të kenë pamundësinë për të ndotur, kështu siç ndotin. Kjo është katastrofë. Këto duan jo 100, por 1000 vjet që të absorbohen dhe helmet dhe dëmet që prodhojnë këto për ujërat nëntokësorë, për tokën, për shëndetin janë të pariparueshme”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ne ia kemi borxh fëmijëve që lindin dhe rriten sot në Shqipëri që kjo trashëgimi të marri fund dhe të mos jetë trashëgimi e tyre”. “Kjo natyrisht që kushton. Natyrisht që janë kosto të mëdha sepse nuk është e rastësishme që sa më i zhvilluar vendi, aq më i pastër dhe sa më pak i zhvilluar, aq më i ndotur, por në fund të ditës, Shqipëria nuk është e ndotur në kuptimin e një ndotje organike për shkak të industrive ndotëse. Shqipëria është pis për shkak të papastërtisë që njerëzit prodhojnë dhe që nuk duan t’ia dinë fare, mjafton që të jenë jashtë mureve të shtëpisë së tyre”, tha Rama, duke kërkuar që “kjo të ndahet dhe duhet ta ndajmë me thikë”.

Ministri Klosi shpjegoi se ndër mbetjet më problematike dhe të pamenaxhueshme janë qeset plastike, të cilat janë të shpërndara kudo, dhe në një numër të konsiderueshëm.

Një vendim i posaçëm qeverie parashikon heqjen nga përdorimi të qeseve njëpërdorimshme dhe të padegradueshme, vendim i cili gjen mbështetjen e plotë të ambientalistëve dhe ekspertëve të mjedisit.

“Qeset janë në të gjithë sipërfaqet e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, qoftë në landfillet e mëdha, qoftë në një fshat të vogël. Ajo që duket, ajo që ngelet, që është më e vështira dhe që mbase i lidh gjithë mbetjet së bashku dhe e bën të pamundur menaxhimin e tyre, janë qeset plastike. Ato përmbajnë elemente që duhen mbi 100 vjet që të degradohen dhe që krijojnë një situatë aspak të këndshme”, tha Klosi.

Me vendimin e ri, sipas tij, “do të largohen të gjitha qeset e holla, ato që janë njëpërdorimshme, dhe do t’u krijohet mundësia vetëm qeseve që janë mbi 35 mikron dhe që janë të biodegradueshme dhe po ashtu që kanë mundësi me disa përdorime”.

“Megjithatë edhe sipas bisedës që kemi bërë me të gjithë komunitetin e ambientalistëve, por edhe me atë çfarë ekspertët thonë, kjo vendimmarrje, e cila do të shkonte drejt eliminimit të qeseve në vendin tonë, do të ishte një vendimmarrje shumë e pëlqyer, pasi realisht largon një nga shkaqet e bërjes pis të Shqipërisë”, tha Klosi.

Për kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako shqetësues është fakti që kjo katastrofë mjedisore, po bëhet pjesë e jetës së përditshme të banorëve që jetojnë aty pranë. “Është shtuar shumë volumi, ka qenë një zonë shumë larg qendrave të banuara, por tashme me informalitetin, me ndërtimet, me zgjerimin e qytetit është kthyer afër një zonë urbane”, tha ai./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.