TIRANE, 12 qershor/ATSH/- Në Tiranë nisi sot punimet konferenca rajonale e administratave doganore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes së cilës synohet të gjenden mekanizma të rinj që do të çojnë në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit.
Në konferencë ishin të pranishëm krerët e administratave doganore të vendeve të rajonit, ndërsa ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj përshëndeti punimet e saj.
Ministri Ahmetaj në fjalën e mbajtur vuri theksin te nevoja për heqjen e tarifave të cilat kthehen në pengesa për shkëmbimet tregtare. Ai u bëri apel vendeve të rajonit për njohjen në mënyrë unilaterale të disa certifikatave.
“Administratat e rajonit përballen edhe me një sfidë tjetër të ndërlidhjes, pasi ende nuk kemi një infrastrukturë të zhvilluar, kryesisht ajo rrugore e cila do të lidhë vendet e rajonit dhe do të lehtësojë shkëmbimet tregtare mes tyre”, u shpreh kreu i Financave Publike.
Këtu, sipas ministrit Ahmetaj, del si detyrë e administratave doganore të gjejnë të gjithë mekanizmat e duhur për të lehtësuar biznesin dhe për të ulur kohën për procedura në pikat doganore.
Ministri theksoi edhe rëndësinë që merr bashkëpunimi jo vetëm rajonal, por edhe më gjerë me institucionet ligjzbatuese britanike. amerikane apo të Bashkimit Europian i cili, shtoi Ahmetaj, bën të mundur një nivel shumë më të lartë të luftës kundër krimit ekonomik dhe trafiqeve.
“Krimi ekonomik nuk pengohet e as luftohet me burokraci apo me procedura letre. Ne duhet të jemi në gjendje të tejkalojmë këto pengesa midis nesh dhe të jemi një hap para me qasje pro-aktive”, theksoi Ahmetaj.
Në këtë kuadër, ministri vuri në dukje se janë një sërë marrëveshjesh në fuqi për shkëmbimin e të dhënave e informacioneve për analizën e riskut ./a.gjonaj/ j.p/













