PRISHTINË, 12 qershor/ATSH/.- Në 19 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, në qytetin e Gjilanit u hap sot Konsullata e Nderit e Shqipërisë.
Kjo konsullatë do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes shqiptarëve.
Me rastin e hapjes së saj, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se “e kemi zgjedhur qytetin e Gjilanit, pasi që është një pikë shumë e rëndësishme. Me hapjen e konsullatës në Gjilan synojnë që të jenë gjeografikisht në qytete të ndryshme për të ofruar veprimtari e aktivitete të shumta”.
“Kemi rënë dakord që në fillim të tetorit në Gjilan të hapim një panair, i cili do të jetë gurthemel i dytë i bashkëpunimit tonë”, bëri të ditur Minxhozi.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, tha se ndjehet i nderuar që në ditën e çlirimit po hapet konsullata e Shqipërisë, pikërisht në qytetin e Gjilanit.
“Kjo zyrë do t’i japë shtysë bashkëpunimit ndërkufitar mes Serbisë dhe Maqedonisë, duke inkurajuar programet e tona të bashkëpunimit dhe largimit nga e kaluara dhe që të shohim bashkërisht në të ardhmen”, tha ai.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Infrastrukturës, Bajram Hasani, i cili vlerësoi se Kosova është në rrugë të mirë të bashkëpunimit me Shqipërinë.
Hasani shtoi se aty ku flitet një gjuhë, bashkëpunimi është gjithmonë më i lehtë. /KosovaPress/k.s/























