SHKUP, 11 qershor /ATSH-MIA/ – Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev u shpreh optimist për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe se kjo mund të ndodhte para samitit të BE-së të vendosur për më 28-29 qershor.
Zaev theksoi sot se zgjidhja e shpejtë e çështjes së emrit ishte e ndërlidhur dhe ditët ishin të numëruara.
Ai shtoi se ishte e rëndësishme një zgjidhje cilësore dhe e mbështetur juridikisht, me dinjitet dhe që do ta ruante identitetin, pasi kjo zgjidhje duhet të ketë edhe jehonë pozitive tek qytetarët e vendit, të cilët do të duhet të shprehen me referendum.
“Bëhet fjalë për momentet e fundit të përpjekjeve që të afrohemi rreth qëndrimeve dhe kur të ndodhë kjo së bashku do ta komunikojmë lajmin e lumtur për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për qytetarët e Republikës së Greqisë”, nënvizoi Zaev./ /ec/ a.jor.























