Ballina Bota

KOMENT – G7 – Të gjithë kundër Trump

OTAVA, 11 qershor /ATSH-ANSA/ – Krisja mes Donald Trumpit dhe aleatëve historikë të SHBA kësaj radhe është e destinuar të lerë shenja me pasoja të vështira për t’u parashikuar.

Me një lëvizje të paprecedentë, presidenti amerikan ka shpërqëndruar punimet e G7-ës me mënyrën e tij, duke hedhur në Twitter nga ”Air Force One”, rrugës për në Singapor, mesazhe që rrezikojnë të shkatërrojnë marrëdhëniet 70-vjeçare me vendet mike, nga Kanadaja në Japoni.

Inati i Emanuel Macronit dhe Angela Merkelit (Berlini flet për një besueshmëri të G7-ës të shkatërruar) flet për një skenar lufte tregtare në të gjitha kampet, ndërsa reagimet e tregjeve financiare në orët në vazhdim i mbajnë të gjithë me frymën pezull.

Manjati i pasurive të patundshme ishte në avion dhe, pasi dëgjoi kryeministrin kanadez Justin Trudeau që kërcënonte me masakër tarifash, vendosi të mos mbështesë më komunikatën finale të samitit të sapofirmosur në Charlevoix, në Quebec.

Përkundrazi, Trump kërcënoi me të tjera tarifa tregtare, kësaj here me importet e makinave.

Marrëveshjet e arritura me shumë mundim, pas dy ditëve bisedimesh intesive, u kthyen në letra pa vlerë në pak minuta.

Një shuplakë që menjëherë shkaktoi kaos në grupin e shtatë fuqive industriale.

Me këtë G7, që mund të jetë viktima e vërtetë e parë e ‘’trumpizmit’’, objektivi është i qartë, përbysja e rregullave të vjetra botërore duke rikrijuar në 360 gradë raportet  me parnerët e vjetër dhe duke pasur në vëmendje gjithmonë, Kinën dhe Rusinë, dhe sipas disa vëzhguesve, thënë ndryshe një e ardhme G3.

”Trudeau ka grushtuar SHBA mbrapa krahëve’’, thotë këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, për të cilen kryeministri kanadez rrezikon të dobësojë pozicionin e Trump në takimin historik me Kim Jong-un.

Këto kërcënime të Trudeau bënë që presidenti amerikan të fliste për një ‘’tradhëti’’ duke  e përshkruar kryeministrin kanadez si një ‘’të dobët dhe jo të ndershëm”.

Sipas ekspertëve, ky është niveli më i ulët i marrëdhënieve SHBA-Kanada.

”Ka një vend special në ferr për çdo lider të huaj, që ka qëllime të këqija ndaj presidentit Trump’’, shprehet Kudlow.

Ndërsa në Paris dhe Berlin rritet irritimi, Macron thotë i nxehur se ‘’bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të jetë i pajisur me inate momentale dhe deklarata njëpërdorimëshe”.

Ai fton Trump të jetë serioz.

‘’Kemi premtuar mirëqënie për popujt tanë dhe duhet të mbajmë premtimet’’, theksoi Macron.

I ashpër edhe reagimi i kancelares gjermane, Angela Merkel e cila thotë se ”me një tweet 280 karakteresh Donald Trump ka shkatërruar kredibilitetin e G7, që për ta ndërtuar do të duhen vite”.

Më në fund vjen edhe përgjigjja e Trudeau i cili thekson se ”marrëveshjet e arritura në G7 do të favorizojnë qytetarët dhe ekonominë si edhe do të mbrojnë demokracinë dhe ambientin”./ (Nga Ugo Caltagirone)  /os/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMAQEDONI – Zaev: Optimist për zgjidhjen e çështjes së emrit para samitit të BE-së
Artikulli tjetërKosovë- MKRS mbështet sportistët Edon dhe Egzon Shala