Ballina Kryesore

Cilësi në shërbimet e turizmit përmes arsimit profesional

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155874637026523/

TIRANË, 11 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Rritja e cilësisë në shërbimet e turizmit është e lidhur ngushtë me punësimin e të rinjve që përgatiten në shkollat profesionale, të cilat janë një garanci për zhvillimin e turizmit.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Durrës, me të punësuar nga arsimi profesional në fushën e turizmit.

Kryeministri ishte në kompleksin “Fafa”, një nga komplekset më të reja turistike ku 60% e të punësuarve vijnë nga shkollat e arsimit profesional.

Kryeministri Rama theksoi se “vendet e zhvilluara kanë arsim profesional super të zhvilluar”, ndërsa vuri në dukje faktin se, “… pjesa dërrmuese e atyre që janë sipërmarrës jashtë vijnë nga arsimi profesional”.

“Ju mund të hapni bizneset tuaja. Kjo është rruga e shumëkujt që bën arsimin profesional dhe fiton shumë më tepër se sa me një punë fikse që nuk krijon perspektivën që krijon dija që buron nga arsimi profesional”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi faktin se, “ata që mbarojnë arsimin profesional kanë shumë më tepër mundësi që të fillojnë punë shumë më shpejt se të tjerët, madje më shpejt edhe se ata që mbarojnë universitetin”.

“Ne ishim para pak ditësh në kantierin e kompresorëve të TAP në Fier dhe pamë saldatorë tajlandezë, apo nga Pakistani dhe Turqia. Edhe në stadiumin e ri kombëtar në Tiranë saldatorët shumica dërrmuese janë të huaj”, – tha Rama.

Në këtë drejtim, kreu i Qeverisë u shpreh se “Shqipëria është ende peng i një prapambetjeje prej disa dekadash, ku u hap një boshllëk i madh në pikëpamje të zanateve e profesioneve që i duhen tregut të punës”.

“Ne këtu te ky kompleks kemi 6 kuzhinierë turq, jo sepse nuk ka kuzhinierë shqiptarë, por janë ende shumë pak në raport me nevojat. Sepse për mbi 20 vite u mendua si të krijojmë juristët dhe arritëm të kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë dhe sistemin më të mjerë të drejtësisë”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Koktejle “Kim” apo “Trump”, samiti frymëzon baret dhe restorantet
Artikulli tjetërRama: Këtë vit, rritje me 15% e numrit të turistëve