Ballina Lajme nga Vendi

Guroret, Klosi: Larg zonave të banuara dhe turistike

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ – Çdo biznes që do të vijojë të funksionojë në shfrytëzimin e karrierave të gurit, duhet t’i përmbahet rregullave te qarta. Pas mbylljes se mbi 30 guroreve dhe pezullimit të disa të tjerave, ministri Klosi shpalli metodologjinë e re të funksionimit në takimin me sipërmarrës në këtë fushë.

Sipas metodologjisë së re, guroret duhet të kenë distancë të përcaktuar nga zonat e banuara, jo pranë akseve kombëtare dhe zonave të banuara dhe të zbatojnë një sërë kriteresh në mënyrën e shfrytëzimit por edhe rehabilitimin pas mbylljes. Nuk duhet të jenë pranë lumenjve, kanaleve kulluese dhe të kenë impakt sa më të vogël vizual në peizazh.

Ministri Klosi  në fjalën e tij u shpreh se “biznesi i guroreve nuk mund të ngrihet në kundërshtim me mjedisin dhe komunitetin  dhe ky biznes duhet të zhvillohet në bazë të standardeve të reja. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit vuri theksin në moszbatimin e lejeve mjedisore minerare dhe gurore, ku vihet re, mospërputhja e e koordinatave, trajtimi i mjedisit dhe i peizazhit, ndotja e ajrit, rehabilitimi i zonës, problematika që kanë shoqëruar këtë biznes ndër vite.

“E gjithë biseda jonë për një Shqipëri turistike apo për një Shqipëri tashmë të zhvilluar nuk mund të përputhet me mënyrën sesi është zhvilluar deri tani. e kemi thënë që ne nuk mund të pranojmë që problematikat e tranzicionit dhe të fillimit të shumë e shumë tipeve të bizneseve në vend të shoqërojnë Shqipërinë e vitit 2018 dhe pastaj për dekadën që vjen. Kemi një analizë që kemi bërë për 287 lejet mjedisore dhe minerare për guroret që janë dhënë në të gjithë vendin dhe më vjen keq që ta them se pothuajse në të gjitha ato, ka problematika në disa elemente; e para, problematikë në zbatimin e lejes mjedisore dhe lejes minerare; e dyta, problematikë me vendosjen e koordinatave; e treta, problematika shumë të mëdha përsa i përket trajtimit të mjedisit dhe situatës në të cilën janë zhvilluar këto biznese; e katërta, po ashtu problematikë shumë e madhe, është trajtimi i peizazhit, trajtimi i zonës së marrë në përdorim dhe pastaj rehabilitimi i zonës së marrë në përdorim”, – theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se ka ardhur koha e reflektimit dhe masave të reja për të zhvilluar një biznes sipas standarteve pa dëmtuar mjedisin dhe komunitetin. Shqipëria turistike nuk mund të zhvillohet nëse nuk zgjidhen problematikat mjedisore.

“Ka ardhur koha që këtë bisedë ta bëjmë fare të sinqertë me njëri- tjetrin, ju të bëni biznes dhe ky biznes të jetë i monitoruar, i mbrojtur, i zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për biznesin tuaj, por nga ana tjetër biznesi të jetë jo në kundërshtim me rregullat e bashkëjetesës me komunitetin dhe me mjedisin, biznesi juaj të mos jetë në kundërshtim me Shqipërinë turistike”, – përfundoi Klosi.

Kreu i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Adrian Bylyku se ekuilibri midis mjedisit dhe biznesit. Ai ftoi përfaqësuesit e guroreve që të bashkëpunojnë për të ngritur sipërmarrje të përbashkëta me qëllim mimizimin e dëmit në mjedis. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Uashingtoni bën përgjegjës kryeministrin Trudeau për dështimin e samitit të G7-ës
Artikulli tjetërFRANKFURT – Gjermania akuzon Trump se po “shkatërron besimin” me postimet në Twitter