Ballina Ekonomi

Evitimi i burokracive, Shqipëria surprizë për TAP

TIRANË, 8 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Shqipëria ka qenë një surprizë për investitorët dhe administratorët e TAP, pasi nuk ka pasur asnjë lloj pengese apo vonese nga pikëpamja e marrëdhënieve administrative.

I pranishëm në stacionin e kompresimit të TAP, në Fier, Kryeministri Edi Rama vlerësoi se “kjo është një vepër kyçe e këtij projekti, një investim i përmasave të pazakonshme që shtrihet në hapësirën e barabartë me 25 fusha futbolli”.

Për t’u shënuar, sipas Ramës, është fakti se deri në fund të prillit të 2018, skuadrat që punuan për ndërtimin e stacionit kanë treguar një performancë të shkëlqyer. Më shumë se 1 milionë orë pune dhe zero lëndime në terren, pavarësisht rreziqeve të natyrshme që mbart gjithë kjo punë”, shtoi Kryeministri.

Kur kemi nisur këtë punë, vijoi Kryeministri Rama, “nga ana e palës që financon dhe administron këtë projekt, na është shprehur shqetësimi se mos Shqipëria kthehej në një pengesë për shkak të burokracisë dhe problematikave në marrëdhëniet me kompanisë dhe administratës”.

Ndërkohë ai u shpreh krenar pasi prej disa kohësh, pala që investon dhe administron projektin e ka thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria ka qenë një surprizë, pasi nuk ka pasur asnjë lloj pengese apo vonese nga pikëpamaja e marrëdhënieve administrative”.

“Për asnjë lloj arsyeje nuk ka pasur vonesa edhe pse kemi të bëjmë me leje të të gjitha natyrave dhe procedura shpeshherë komplekse dhe në marrëdhënie potencialisht të vështira me kompani të ndryshme”, shtoi Rama.

Ai theksoi se “ky është një shembull shumë pozitiv dhe një provë se angazhimi në projekte të tilla, por edhe projekte punësh publike nëse është i mirëstrukturuar dhe i mirëkoordinuar mund të sjellë zero pengesa dhe zero probleme administrative, duke garantuar shpejtësi dhe cilësi”.

Projekti në të gjithë hallkat e veta, sipas Ramës, deri tani nuk ka shënuar asnjë pengesë dhe është brenda axhendës së paracaktuar.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRI – WSJ: Putin i kërkoi Kurz një takim me Trump
Artikulli tjetërEurodeputetët austriakë: Pro hapjes së negociatave me Shqipërinë