PRAGË, 6 qershor /ATSH-AFP/ – Miliarderi ish-komunist çek, Andrej Babis, lëvizja populiste ANO e të cilit fitoi zgjedhjet legjislative në muajin tetor, u riemërua sot kryeministër nga presidenti, Milos Zeman, në përpjekje për të formuar me social-demokratët e CSSD një koalicion të mbështetur jozyrtarisht nga komunistët.
Gjatë një ceremonie në Kështjellën e Pragës, transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni publik, Zeman i kërkoi Babis t’i paraqiste kabinetin e tij në kohën e duhur.
“Shpresoj për qeverinë tuaj që të marrë këtë herë votëbesimin e Dhomës së deputetëve”, shtoi presidenti, edhe ai ish-anëtar i partisë komuniste dhe i njohur për qëndrimet proruse dhe prokineze.
Një ditë më parë, mijëra çekë protestuan në mbarë vendin, kundër qëllimit të Babis, 63 vjeç, për të formuar një qeveri të mbështetur nga komunistët e KSCM, parti nostalgjike e regjimit totalitar, e zhdukur që prej vitit 1989 dhe deri tani e përjashtuar nga pushteti./
/ec/ a.jor.























