Kurti: Më i rëndësishëm bashkimi i Mitrovicës, sesa vendi i Kosovës në OKB

PRISHTINË, 6 Qershor /ATSH/.- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti zhvilloi sot një takim me raportuesin e Bashkimit Europian për Kosovën, Igor Soltes.

Sipas një njoftimi nga VV, gjatë takimit Kurti dhe Soltes biseduan për situatën politike dhe institucionale në Kosovë, për drejtësinë dhe EULEX-in e po ashtu për dimensionin social e ekonomik të vendit.

“Kurti gjatë takimit theksoi se për ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin tonë bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm sesa vendi në OKB, që po premtohet pa mbulesë dhe se tani kur shënojmë një dekadë të EULEX-it mund të themi se ai ka dështuar sa i përket si krimeve të luftës, po ashtu edhe krimeve të paqes”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas VV-së ky takim ishte në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm të Lëvizjes Vetëvendosje me përfaqësuesit dhe zyrtarët nga Bashkimi Europian./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.