Ballina Aktualitet

Transformohet Sharra, një fakt shembullor kundër hirit të syve

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155830538816523/

TIRANË, 24 Maj/ATSH/ – Vendgrumbullimi i plehrave në Sharrë po transformohet përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga projekti që po realizohet në Sharrë.

“Një fakt shembullor kundër hirit të syve. A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqipërinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin. Dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekuli nuk u bë asgjë!”, deklaron kryeministri.

Ai shton se “kjo që shihni është një video e projektit, që tanimë po realizohet në Sharrë dhe jo thjesht një projekt në kompjuter”.

Duke garantuar se kështu do ta zhbëhet mallkimi i plehrave jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, kryeministri fton të gjithë që “të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Europiane që duam për fëmijët tanë”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAudio-përgjimi tallje e madhe
Artikulli tjetërSEUL – Koreja e Veriut çmonton qendrën e provave bërthamore