Ballina Lajme nga Vendi

Reforma e pensioneve, çdokush përfiton nga kontributet që derdh

TIRANË, 21 maj/ATSH-Maela Marini/ – Reforma e pensioneve bëri që çdokush të përfitojë pensionin bazuar në kontributet që derdh, dhe tani kemi edhe pensione që shkojnë në 350 mijë lekë (të vjetra).

Në turin e llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj ankesës së një banori nga fshati Golem, i Gjirokastrës, i cili u ankua se nuk janë rritur pensionet.

Sa i takon pensioneve, Kryeministri theksoi se “… është me shumë vend shqetësimi, por pyetja që duhet bërë është nëse ka ndonjë kryeministër në botë që s’do të rrisi pensionet dhe në fakt nuk ka”.

“Kjo shpjegohet me faktin që në 25 vjet nuk u bë reforma e pensioneve dhe ne rrezikuam që të na bjeri komplet skema e pensioneve, sepse u rrit numri i pensionistëve dhe ra numri i kontributorëve, dhe mbeti ai tavani 240 mijë lekë i pensioneve”, – tha Rama.

Reforma që bëmë, tha Rama, është që secili merr pension sipas kontributeve, por ka dy probleme. “E para, që këtë e përfitojnë të gjithë pensionistët mbas reformës, sepse të tjerët më parë për shkak se sistemi nuk u reformua nuk e përfitojnë. Sot pensioni shkon edhe 350 mijë lekë. Për pensionet e fshatit problem i madh është çështja e kontributeve. Duke u nisur nga kjo dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e përgjithshme të financave, kush premton se do të rrisë pensionet, gënjen. Unë nuk gënjej dot”, – tha Rama. /r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHËNIM – Uashingtoni i vendos 12 kushte të ashpra Iranit për heqjen e sanksioneve
Artikulli tjetërZgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Gjirokastrës