Ballina Aktualitet

Programe zhvillimore për përmirësimin e jetesës së minoritetit grek

TIRANË, 21 maj/ATSH/.- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi sot se
“qeveria Rama dëshiron që së bashku me qeverinë mike greke të zbatojë projekte zhvillimore, të cilat synojnë integrimin më të mirë të minoritetit grek në jetën ekonomike dhe shoqërore”.

Në dëgjesën me përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke, në Grapsh , Dropull, për hartimin e paketës së akteve nënligjore “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Bushati ritheksoi të gjithë mirënjohjen që qeveria ka për kontributin e minoritetit grek në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore.

“Qeveria e Edi Ramës ka hapur një faqe të re në rindërtimin e besimit të marrëdhënieve me Greqinë duke adresuar një dosje që mbart problematika rreth 70 vjeçare, ku komuniteti juaj konsiderohet si  një urë lidhëse”, nënvizoi Bushati.

Ne, vijoi , ai, duam që së bashku me qeverinë greke të zbatojmë programe zhvillimore që synojnë integrimin më të mirë të komunitetit grek në jetën politike dhe shoqërore.

“Po punojmë për të përmirësuar dhe lehtësuar sa më shumë problemet tuaja”,  tha Bushati.

Ministri Bushati bëri të ditur se “nuk është rastësi që një pjesë e mirë e atyre që kontribuojnë më shumë në GDP e vendit, biznesmenëve vijnë pikërisht nga kjo zonë që  është dëshmi që ju e keni ndërtuar jetën tuaj me djersën e ballit”.

Ministri Bushati u shpreh se “në vitet më të vështira siç ishte ’97 në këtë zonë janë paguar një më një detyrimet e energjisë elektrike, ujit dhe çdo gjëje tjetër edhe kur shteti ka qenë vetë në pikëpyetje”.

“Prandaj është jo vetëm angazhim i qeverisë së Edi Ramës, por edhe detyra jonë për të punuar me ju si partnerë për të çuar së bashku jo vetëm ligje të standardeve europiane që janë certifikuar edhe nga Komisioni Europian si të tilla, ku Shqipëria është realisht një vend pararojë, për të punuar dhe me qeverinë greke me instancat e tjera ndërkombëtare për të zbatuar projekte që kanë lidhje me atë që Papa Francesku nuk ka nguruar ta konsiderojë si unitetit në diversitet”, përfundoi Bushati./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakROMË – Arabia Saudite për herë të parë në Bienalen e Venecias
Artikulli tjetërRUSI2018 – Spanja pa Moratan