TIRANË, 14 maj/ATSH/ – Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të statusit të gruas dhe promovimit të barazisë gjinore, dhe përfshirja e grave në tregun e punës dhe më gjerë në vendimmarrje është një objektiv, i cili do të na udhëheqë në përfitime të qëndrueshme makroekonomike.
Zv/kryeministrja Senida Mesi mori pjesë në Workshop-in e Nivelit të Lartë të organizuar në Austri me temë: “Çlirimi i Potencialit të Rritjes Ekonomike në Ballkanin Perëndimor: Përmirësimi i Barazisë Gjinore në Aksesin e Mundësive Ekonomike”, organizuar nga Banka Botërore me fokus axhendën e barazisë gjinore në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në panelin me temë “Kostot Ekonomike dhe Sociale të Përjashtimit të Grave nga Tregu i Punës”, së bashku me Carolina Sanchez, Drejtor i Lartë në BB për Varfërinë dhe Praktikën e Barazisë Globale, merrnin pjesë edhe Shiret Elezi zëvendësministre e Financave në Republikën e Maqedonisë, Dušan Vujović, ministër i Financave i Republikës së Serbisë dhe Gallina Vincelette, menaxhere e Praktikës pranë BB për Makroekonominë, Tregtinë dhe Investimin.
Në takim u diskutua në lidhje me kostot ekonomike e sociale të pabarazisë gjinore dhe implikimet e mosadresimit të këtyre pabarazive tek aspiratat e rajonit në kuadër të integrimit europian dhe rritjes ekonomike të shpejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Gjatë panelit, Mesi nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të statusit të gruas dhe promovimit të barazisë gjinore.
Sipas saj, për qeverinë shqiptare, përfshirja e grave në tregun e punës dhe më gjerë në vendimmarrje, nuk është vetëm një detyrim, por edhe një objektiv, i cili do të na udhëheqë në përfitime të qëndrueshme makroekonomike.
Zv/kryeministrja Mesi tha se, ndava gjithashtu përkushtimin tonë për të përmirësuar kushtet e grave që jetojnë në zonat rurale dhe për t’i sjellë ato më pranë aksesit e mbështetjes financiare, në mënyrë që të përfshihen më tej në tregun e punës./m.m/

















