ITALI – Ekstremi i djathtë vendos kushte për të qeverisur me lëvizjen antisistem

ROMË, 14 maj /ATSH-AFP/ – Liga (ekstremi i djathtë) vendosi sot në mbrëmje kushtet e saj në çështjet e luftës kundër imigracionit apo në raportet me Bashkimin Europian për të krijuar një qeveri unioni me Lëvizjen Pesë Yjet (L5Y, antisistem), që ka kërkuar disa ditë më shumë për të diskutuar.

“Meqënëse jemi duke shkruar atë që do të jetë programi i qeverisë për pesë vitet në vijim, është e rëndësishme për ne që ta bëjmë sa më mirë, për këtë arsye kemi kërkuar disa ditë më shumë”, deklaroi Luigi Di Maio, shefi i L5Y-së, në përfundim të një takimi prej 45 minutash me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella.

I pritur pak më vonë, në përfundim të shumë ditësh trataktivash intensive, kreu i Ligës, Matteo Salvini u tregua shumë më pak bashkues.

“Nëse do të shkojë në qeveri, dua të bëjë atë që i kam premtuar italianëve”, theksoi ai, duke garantuar se në çastin që sondazhet e nxjerrin në rritje, partia e tij nuk i trembet një rikthimi në zgjedhje në rast dështimi të bisedimeve.

Ai kërkoi gjithashtu që Liga t’i ketë duart e lira për të luftuar kundër imigracionit klandestin dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve, në veçanti nëpërmjet një liberalizimi të mbrojtjes legjitime.

“Mbi Bashkimin Europian, italianët kanë votuar që ne të shkojmë në Bruksel dhe Strasburg për të vënë në qendër çështjen e punësimit të italianëve, të dinjitetit të punës, të mbrojtjes së bujqësisë, të ‘Made in Italy’, të peshkimit”, deklaroi shefi i Ligës.

“Qeveria do të vihet në rrugë nëse ka mjetet të veprojë”, theksoi ai. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.