Punësimi, orientim drejt formimit profesional

TIRANË, 12 maj/ATSH/- Qeveria po harton një program kombëtar punësimi, me qëllim që të kemi një ekonomi që prodhon dhe punëson.

Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli në një prononcim për ATSH-në thekson se baza themelore e furnizimit ose hapjes së vendeve të reja të punës është sektori privat dhe del e nevojshme të ndiqen disa politika të reja.

Angjeli shprehet i mendimit se duhet çrrënjosur mentaliteti se vende pune të jep qeveria. “Është një koncept i prapambetur që nuk funksionon në ekonominë e tregut, sepse asnjë biznes nuk të merr sot në punë për dëshirën e një politikani apo qeveritari, të merr sepse do të realizojë qëllimet e biznesit të vet”, – shpjegon Angjeli.

Shumë profesione, sipas tij, mbetën pa u përfaqësuar dhe shumë vende pune hapen nëpër biznese, por nuk përputhen me profesionet e burimeve njerëzore që ekzistojnë të lira në vendin tonë.

Atëherë del detyrë kryesore që ne të shikojmë se si duhet të kualifikojmë forcat e lira të punës së pakualifikuara si dhe brezin e ri që vjen, sepse shprehet Angjeli, kemi zhvillim të ri të teknologjisë, i cili kërkon një mendje të re dhe një mentalitet të ri.

“Kështu, ne do të propozojmë të orientojmë më mirë edukimin profesional, qoftë i mesëm, qoftë i lartë, me qëllim që të përputhet me zhvillimet e reja që po ndodhin në ekonominë tonë me edukimet e reja të atyre që po bëhen gati për t’u futur në punë”, – deklaroi Angjeli.

Për Angjelin, është i nevojshëm edhe përdorimi i stimujve financiarë për hapjen e vendeve të punës, sidomos për të rinjtë dhe gratë.

“Qeveria duhet të financojë disa profesione të reja, apo disa shërbime të domosdoshme, si mjekësia apo infermieria që duhet të jenë në të gjithë territorin e vendit me instrumente të reja, siç janë ato financiare”, – shprehet ai.

Nga ana tjetër, thotë ai, duhet të orientohemi edhe nga zhvillimi i “smart job” në teknologji. Ne e dimë, shpjegon Angjeli, se një investim sot në teknologji prej 100 mijë euro mund të hapë 10 mijë vende të reja pune.

Deputeti Angjeli kërkon edhe rishikimin e strukturave të zyrave të Punës. “Duhet parë nëse është e nevojshme decentralizimi i zyrave të punës, ndërsa dhomat e tregtisë dhe bashkitë duhet të marrin më shumë rol”, – sugjeron Angjeli.

Deputetja e Partisë Demokratike, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, në një intervistë për ATSH-në thotë se është koha kur duhet parë me vëmendje se çfarë kërkon tregu dhe si mund të përgatitet forca e punës për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut.

“Sot jemi në momentin kur duhet të fillojmë të jemi më inovativë, për të parë se çfarë kërkon tregu dhe çfarë mund të ofrojë së pari, universiteti dhe së dyti, edhe arsimi profesional, për t’iu përgjigjur nevojave të tregut”, – deklaron ajo.

Për këtë arsye, gjykon Tabaku, analizave e sektorëve strategjikë e prioritarë duhet të ishte pararendësja dhe të shoqërohej me politika si në arsim, nga njëra anë, ashtu edhe me investime publike e ulje taksash nga ana tjetër.

Edhe deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi, anëtare e Komisionit të Ekonomisë thekson si prioritet punësimin e të rinjve, grave dhe vajzave, punësim i cili vjen përmes formimit profesional.

“Jemi të fokusuar te punësimi i të rinjve. Ky është një ndër problemet kryesore dhe në strategjinë që po ndërtojmë po fokusohemi te ky grup. E kemi konsideruar që nga shkollimi, arsimi profesional, apo rikualifikimi”, – deklaroi Kushi.

Për sa i takon formimit profesional, Kushi thotë se është vlerësuar fakti se duhet një ristrukturim i atyre institucioneve që lidhen me formimin profesional dhe punësimin.

“Nga njëra anë kemi zyrat e punës dhe, nga ana tjetër, kemi edhe qendrat e formimit profesional. Për sa i takon zyrave të punës, ne mendojmë se këto duhet të decentralizohen dhe të vijnë më afër njerëzve, të vendosen ndoshta në varësi të bashkive, sepse bashkitë janë ato që kanë më tepër informacion për problematikat apo potencialet që ka çdo zonë”, – deklaroi Kushi.

Nga ana tjetër, theksoi ajo, jemi duke bërë një vlerësim se si mund të harmonizohet puna midis zyrave të punës dhe qendrave të formimit profesional.

Për arsimin profesional, ne vlerësojmë se edhe në shkollat e larta duhet të ketë disa programe të veçanta të fokusuara te vendosja në universitete e një programi dyvjeçar që fokusohet te dhënia e profesionit dhe te praktika.

Kushi theksoi se edhe punësimi i grave dhe vajzave është prioritet. “Këtu fokusohemi te shkollimi i vajzave, arsimi profesional apo edhe tek nxitja, apo stimuli që mund t’u jepen bizneseve që punësojnë gratë, apo edhe vajzave sipërmarrëse, sepse ka plot gra e vajza që kanë nevojë për mbështetje apo këshillim”, – vuri në dukje deputetja socialiste.

Natyrisht, shprehet ajo, synojmë edhe të promovojmë gratë e vajzat e suksesshme në biznese apo karrierë, në mënyrë që të shërbejë edhe si model për gratë e vajzat e tjera. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.