UELLINGTON, 11 maj /ATSH-AFP/ – Shkencëtarët kanë matur atë që mendohet të jetë dallga më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Hemisferën e Jugut, një fenomen prej 23,8 metrash lartësi, ekuivalente me një ndërtesë tetëkatëshe.
“Dallga u regjistrua të martën në oqean, shkaktuar nga stuhitë e fuqishme, pranë ishullit Campbell, rreth 700 kilometra në jug të Zelandës së Re”, njoftoi MetOcean Solutions, një konsulent në oqeanografi.
Oqeanografi Tom Durrant deklaroi se kjo dallgë u mat gjatë një stuhie të fortë me ndihmën e një mjeti shkencor duke thyer rekordin e mëparshëm për Hemisferën e Jugut, të vendosur me 22,03 metra në vitin 2012.
“Në dijeninë tonë, kjo është dallga më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Hemisferën e Jugut.”
“Oqeani luan rolin e ‘dhomës motorike’ që gjeneron dallgë që përhapen në të gjithë planetin”, – theksoi ai.
Studiuesi ka gjykuar se stuhia që kishte goditur rajonin, para se të nisej drejt lindjes, kishte shkaktuar dallgë që arrinin mbi 25 metra. /ec/ a.jor.























