AIX-LA-CHAPELLE, 10 maj /ATSH-AFP/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi sot çtensionimin e situatës në Lindjen e Mesme pasi, sipas saj, tashmë atje bëhej fjalë ose për luftë ose për paqe, pas sulmeve iraniane në pjesën e Golanit nën kontrollin izraelit.
“Përshkallëzimi i orëve të fundit na tregon se me shumë gjasa bëhet fjalë ose për luftë ose për paqe në Lindjen e Mesme”, theksoi ajo gjatë një ceremonie për dhënien e një çmimi europian presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Situata është shumë e komplikuar”, shtoi kancelarja që u kërkoi të gjitha palëve vetëpërmbajtje.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi sot se Europa nuk mund të mbështetet tek SHBA-ja për ta mbrojtur në çdo rrethanë dhe si pasojë e kësaj duhet të marrë në dorë fatin e saj.
“Koha kur mund të mbështeteshim shumë thjesht tek SHBA-ja për të na mbrojtur ka përfunduar”, theksoi Merkel gjatë një ceremonie në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Europa duhet të marrë fatin e saj në dorë, kjo është sfida jonë për të ardhmen”, shtoi ajo./ /ec/ a.jor.





















