TIRANË, 9 Maj/ATSH/ -Superliga shqiptare rikthehet sot me sfidat e javës së 33-të. Luhet për titullin, Europën dhe mbijetesën. 2 ndeshje do të luhen në orën 16:00 dhe tre të tjera në orën 19:00, me Skënderbeun që mund të festojë titullin vetëm disa orë pasi të mbyllë ndeshjen e tij pasi në rast fitoreje ndaj Lushnjës dhe një ndalese të Kukësit përballë Teutës, korçarët do të ishin zyrtarisht kampionë.
Shansi matematik për të mbyllur çështjen e titullit, ose më e pakta vendosja efektivisht e një dore te trofeu. Skënderbeu luan në Lushnjë me synimin të mbyllë sa më shpejt praktikën në kampionat, për t’u përqendruar më pas te finalja e Kupës.
Një fitore e korçarëve, e kombinuar me barazimin ose humbjen e Kukësit në fushën e Teutës do të mbyllte çdo diskutim. Në këtë rast diferenca e pikëve do të ishte e parikuperueshme në tre javët e fundit.
Për Luftëtarin dhe Partizanin sfida mes tyre mund të jetë mundësia ideale për të shtruar rrugën drejt Europës.
Flamurtari-Laçi është një duel i drejtpërdrejtë për pozicionin numër 4. Një fitore e mundshme e vlonjatëve do të sillte rrotacionin mes kuqezinjve dhe kurbinasve në klasifikim, me skuadrën e Mezanit që ka 2 pikë më shumë se sa Flamurtari.
Teuta ka një tjetër finale këtë mesjave, ku do të përballet me Kukësin në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët vijnë pas një suksesi mjaft të rëndësishëm në transfertë ndaj Partizanit dhe morali i skuadrës është ai i duhuri në prag të takimit kundër ekipit të Pacult.
Vllaznia-Kamza si një finale e vërtetë, vetëm se i vetmi trofe që do të fitohet me shumë gjasa do të jetë ai i qëndrimit në Superiore. Ndeshja e kësaj të mërkure në “Loro Boriçi” është e ngjashme për shkodranët me atë të javës së fundit të sezonit të kaluar, vetëm se këtë herë Vllaznia ka nevojë për një fitore.
/gj.m/ /a.g/























