Ballina Lajme nga Vendi

Kroçera “La Belle de L’Adriatique” rikthehet në Durrës

TIRANE, 8 Maj /ATSH/ -Në portin e Durrësit ditën e nesërme pritet të mbërrijë kroçera e parë e këtij sezoni turistik.

Pas prillit të vitit të kaluar, anija turistike “La Belle de L’Adriatique” vjen për herë të dytë në portin më të madh të vendit tonë.

Ajo do të lundrojë nga Bari (Itali) drejt Durrësit natën e së martës dhe pritet të ankorohet në kalatën 5 të hënën rreth orës 7.00. Kroçera ka një gjatësi prej 110 metrash dhe pas qëndrimit deri mbrëmjen e së mërkurës në Durrës do të niset drejt Dubrovnikut.

“La Belle de L’Adriatique” është kroçera e parë e vitit, ndërsa kroçera “Berlin do të jetë e fundit dhe pritet të mbërrijë në fund të muajit tetor të këtij viti. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.

Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës. /e.malaj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNxitje eksporteve në peshkim
Artikulli tjetërKompensimi për prodhuesit bujqësorë, tatimet sqarojnë skemën