TIRANË, 8 maj/ATSH/-Indeksi i Çmimeve të Konsumit që mat inflacionin, në muajin prill llogaritet 2.1%, njoftoi sot Instituti i Statistikave.
Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin prill është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.2%, ndërsa grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kontribuoi me 0.52%.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Prill 2018, krahasuar me muajin mars është -0.5%.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare.
Burimi kryesor i informacionit për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve.
Ndryshimi vjetor mat ndryshimin e indeksit të çmimeve midis muajit korrent me të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm.
Ky ndryshim është rrjedhojë e ndryshimeve korente në nivelin e çmimeve por mund të ndikohet edhe nga efektet e papërsëritshme të cilitdo muaj.
/a.gjonaj/















