MOSKË, 6 maj /ATSH-AFP/ – Vladimir Putin po përgatitet të rizgjidhet president i Rusisë për një mandat të katërt deri në vitin 2024, pasi ka qenë në drejtim të vendit prej 18 vitesh si kryetar i shtetit dhe qeverisë.
I rizgjedhur në mars me 76,7% të votave, ose rezultati më i lartë që prej ardhjes së tij në pushtet, Putin është pozicionuar më shumë se kurrë si njeriu i fortë i një Rusie që ai e ka rivendosur në rreshtin e parë në skenën ndërkombëtare, me koston e tensioneve në rritje me Perëndimorët.
Me një rezultat shumë më të mirë nga kundërshtarët e tij, me një pjesëmarrje më të lartë se sa presidencialet e vitit 2012, ai falenderoi rusët, mbrëmjen e rizgjedhjes së tij dhe u shpreh se “në këtë fitore të gjerë shikon besimin dhe shpresën e popullit”.
Opozita dhe OJQ-të ruse folën për shumë parregullsi, mes të cilave bllokim të qendrave dhe votues të sjellë me autobusë nën presionin e punëdhënësve të tyre.
Ceremonia e betimit e Vladimir Putin u parapri nga një seri manifestimesh kundër, të organizuara dje në të gjithë Rusinë me thirrje të opozitarit kryesor në Kremlin, Aleksei Navalni.
Këto grumbullime, që ishin ndaluar nga autoritetet, shpesh herë u shpërndanë me forcë dhe sollën mijëra arestime përfshirë edhe vetë Navalnin.
I shpallur i paaftë për të kandiduar për shkak të një dënimi për vepra penale që ai e quan një sajim nga Kremlini, Aleksei Navalni nuk arriti të garojë vetë në zgjedhjet presidenciale.
Një ditë nga betimi i mëparshëm i Vladimir Putin, në 6 maj 2012, një manifestim kundër Kremlinit në sheshin Bolotnaja në Moskë u karakterizua nga përplasje me policinë dhe shumë manifestues u dënuan më pas me punë në kamp.
Ulje e tensioneve
Nëse kreu i Kremlinit ka bërë deklarata shumë luftarake gjatë fushatës së tij elektorale, në të cilën ai mburi kapacitetet e reja ushtarake të Rusisë dhe raketat e saj bërthamore “të pamposhtshme”, ai garantoi pas rizgjedhjes së tij triumfuese se kërkon të reduktojë shpenzimet ushtarake në vitet 2018-2019 dhe refuzoi çdo garë armatimesh.
“Pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014, të përshëndetur nga shumica e Rusëve dhe që rriti popullaritetin e Vladimir Putin, që ishte i lartë, synimi i presidentit rus tashmë nuk është që t’i bashkojë Rusisë toka të reja, por që të mundësojë që e gjithë bota të marrë parasysh intaresat ruse dhe të pranojë pushtiemt e saj”, deklaroi analisti Dmitri Oreçkine.
E goditur në vitin 2014 nga sanksione perëndimore të paprecedenta për shkak të krizës ukrainase, Rusia i kundërvihet gjithashtu Perëndimorëve në konfliktin sirian dhe për shkak të akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjen e Donald Trump.
Kjo përballje Lindje-Perëndim është thelluar edhe më shumë që kur Londra akuzoi Moskën në mars se ka helmuar ish-agjentin e dyfishtë rus në Britani të Madhe, duke sjellë largim të diplomatëve rusë në të gjithë botën të cilave Rusia iu përgjigj me masa të njëjta.
Vladimir Putin i cilësoi këto akuza si një “asgjë e madhe” dhe diplomacia ruse si një “sajim” britanik.
Pas 2024-ës?
Pas ceremonisë solemne të betimit në Pallatin e Madh të Kremlinit, Putini do të qëndrojë në krye të Rusisë deri në vitin 2024, viti kur ai feston 72 vjetorin.
I pyetur mbrëmjen e rizgjedhjes së tij mbi një kandidaturë të mundshme pas fundit të këtij mandati, ai u përgjigj: “Ju po talleni! Çfarë duhet të bëjë? Të rri këtur deri 100 vjeç? Jo”.
Përveç ndonjë ndryshimi kushtetues, Vladimir Putin nuk mund të jetë sërish kandidat në vitin 2024, pasi Kushtetuta ruse e ndalon që të kandidohet për më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.
Sipas ekspertëve, presidenti rus mund të përdorë këto gjashtë vite për të përgatitur një pasues. Por për çastin, njeriu i fortë i Rusisë është ruajtur që të mos japë asnjë informacion mbi personin që ai mendon.
Sipas analistit Konstantin Kalatçev, një largim i parakohshëm i Putinit nuk përjashtohet.
“Ai është i lodhur dhe ai e kupton se duhet të largohet ndërkohë që është në formë. Largimi i tij do të jetë i mirë dhe i papritur për të gjithë botën”, theksoi Kalaçev. /G.S/
(Nga Victoria Loguinova-Yakovleva dhe Maria Panina)























