Ballina Lajme nga Vendi

Asnjë gjobë për deklarim të gabuar

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ – Nuk do të ketë asnjë gjobë për deklarim të gabuar të TVSH-së.

Në një interpelancë me përfaqësues të biznesit të vogël, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj rikonfirmoi edhe një herë faktin se nuk do të vendosen gjoba për bizneset që bëjnë deklarim të gabuar të TVSH-së.

Administrata tatimore, sipas tij, do të asistojë çdo biznes, duke i ndihmuar dhe informuar.

“Asnjë gjobë për deklarim të gabuar. Edhe mund të ketë deklarim të gabuar, pasi në punë e sipër të gjithë gabojmë dhe mësojmë, ndaj Kryeministri ka ngulur këmbë që nuk do të ketë asnjë gjobë për deklarim të gabuar”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, në të gjithë vendin janë gjithsej 9975 biznese që kanë kaluar xhiron prej 2 milionë lekësh për vitin 2017 e që për herë të parë futen në skemën e deklarimit të TVSH-së.

“Janë rreth 9975 sipërmarrje të vogla që do të deklarojnë TVSH-në dhe janë sot pak më shumë se 6 mijë biznese që janë informuar dhe ndihmuar nga administrata tatimore në gjithë Shqipërinë. Ne do të shkojmë derë më derë te sipërmarrja, për t’i ndihmuar dhe ndarë informacion dhe do ta lehtësojmë këtë proces”, – siguroi Ahmetaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQeveri antimafie, zgjidhje për integrimin e Shqipërisë në BE
Artikulli tjetërVetting-u nis numërimin mbrapsht për gjyqtarët Fatmir Hoxha dhe Manjola Xhaxho