Qeveri antimafie, zgjidhje për integrimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 4 maj /ATSH- I. Vata/ – “Një qeveri antimafie është zgjidhja e vetme e integrimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian”, – deklaroi sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, Basha tha se “dorëheqja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri nuk është zgjidhja, por zgjidhja e vërtetë është largimi i qeverisë”.

Sipas tij, Kryeministri kërkon të mohojë zbardhjen e së vërtetës në Komisionin Hetimor të çështjes “Tahiri”.

Më tej, Basha shtoi se “dokumentet dhe dëshmitë do të provojnë se në këtë skemë, Saimir Tahiri është një gur shahu, është një levë që është përdorur për të kanabizuar Shqipërinë. Hetimi do të provojë se skema vazhdon”.

“Drejtësia e kapur dhe prokuroria nën kontrollin e plotë të pushtetit, nuk kanë për ta zgjidhur dot këtë problem jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo që duhet dhe i hap rrugë drejtësisë është dorëheqja e kryeministrit. Qeveria është provuar si pengesa e vetme e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndaj zgjidhja e vetme është një qeveri antimafie për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, – tha kreu i PD.

Basha tha se “PD do të qëndrojë në krye të çdo beteje për largimin e qeverisë që është kthyer në një makth për qytetarët dhe ky është qëndrimi i të gjithë opozitës”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.