TIRANË, 3 maj/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama renditet në dhjetëshen e liderëve më interaktivë në botë në rrjetin social Facebook. Renditjen e ka bërë Twiplomacy, institucion që monitorin rrjetet sociale të liderëve dhe organizatave në të gjithë botën.
Kryeministri Rama ka publikuar një shkrim të politiko.al, duke theksuar: “Mirëmëngjes dhe me këta që thonë se unë qenkam një nga 10 liderët më aktivë në facebook në botë, po nuk thonë që në botë s’ka të tjerë si ju, që më ngacmoni me komentet tuaja këtu duke rritur aktivitetin tim komunikues në këtë rrjet, ju uroj një ditë të mbarë”.
I pari në listë renditet presidenti amerikan Donald Trump me 204,908,135 ndërveprime (përfshirë pëlqimet, komentet dhe shpërndarjet).
Kryeministri indian Narendra Modi arriti 113.6 milionë ndërveprime në faqen e tij, më shumë se dyfishi i presidentit indonezian Joko Ëidodo me gati 46 milionë ndërveprime.
Kryeministri i Kamboxhias bie nga vendi i dytë në vendin e katërt, me vetëm 36 milionë ndërveprime. Samdech Hun Sen shpesh ndan fotografitë familjare të vetes me gruan dhe nipërit e mbesat e fotot e tij duke luajtur golf. Ai gjithashtu ka kthyer faqen e tij në faqen e internetit për ngjarjet e drejtpërdrejta, transmetimin e ndeshjeve të futbollit dhe Zërin e Kamboxhias.
Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri është në pozitën e pestë me 33 milionë interaksione dhe një normë ndërveprimi prej 0.69% në postimet e tij. Më tej renditet Shtëpia e Bardhë, Justin Trudeau i Kanadasë, Uhuru Kenyatta i Kenias, faqja institucionale e Kryeministrit indian.
Ndërsa dhjetëshen e liderëve më interaktivë për 2017-n e mbyll kryeministri Edi Rama me mbi 13 milionë reagime.

/gj.m/ /a.g/























