UASHINGTON, 2 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump e cilësoi sot skandaloz publikimin nga “New York Times” të çështjeve që ai synonte t’i paraqiste prokurorit special të ngarkuar me hetimin, veçanërisht për një bashkëpunim të mundshëm mes ekipit të tij të fushatës elektorale dhe Rusisë.
“Ju keni një krim imagjinar, të rremë, bashkëpunim, që nuk ka ekzistuar kurrë dhe një hetim që ka filluar me një rrjedhje të paligjshme të informacioneve konfidenciale. Interesante!”, kritikoi presidenti amerikan në një postim në Twitter.
Të hënën në mbrëmje “New York Times” (NYT) ka publikuar dhjetëra pyetje që Robert Mueller, prokurori special do të bënte për Trump.
Përmbajtja e pyetjeve të komunikuara në Shtëpinë e Bardhë duket se tregon se ekipi i Mueller interesohet për një pengesë potenciale në drejtësi nga ana e drejtuesit amerikan.
“Duket shumë e vështirë për të ndërhyrë në drejtësi për një krim që nuk ka ndodhur! Gjueti shtrigash!”, shprehet Trump i nervozuar në një postim tjetër në Twitter.
Pyetjet mund të jenë të ndara në disa pjesë, për shkarkimin e James Comeyt, në atë kohë drejtor i policisë federale amerikane (FBI), mbi Jeff Sessions, ministër i Drejtësisë, i cili refuzoi të jepte mendime në hetimin rus apo ngjarjet për një bashkëpunim të mundshëm mes ekipit të fushatës së tij dhe Moskës./ /ec/ a.jor.























