Ballina Aktualitet

Llogaridhënia publike, kontrata e bashkëqeverisjes me qytetarët

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155767160941523/

TIRANË, 28 prill/ATSH-Maela Marini/.- Llogaridhënia publike është kontrata e bashkëqeverisjes me qytetarët, ndaj Partia Socialiste do të vijojë këtë aleancë me njerëzit e zakonshëm.

Kështu deklaroi të shtunën, në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të PS-së, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla.

Llogaridhënia publike vetëm kur ka zgjedhje, për Ballën i përket së shkuarës. “Kjo histori po ndryshon dita-ditës. Llogaridhënia publike për ne është kontrata jonë e bashkëqeverisjes me qytetarët. Edhe në zgjehdjet vendore të vitit 2019 ne do të jemi në aleancë me qytetarët dhe përballë do të kemi aleancën e politikanëve. Ne do të jemi me njerëzit e zakonshëm dhe përballë do të kemi ata që e përdorin politikën si armë për të luftuar për mirëqenien dhe interesat e tyre”, theksoi Balla.

Pjesë e llogaridhënies me publikun, për Ballën do të jetë edhe komunikimi publik i projekteve strategjike që publiku të dijë paraprakisht çdo projekt.

“Ne duhet të komunikojmë me publikun për çdo projekt strategjik apo për politikat tona sociale. Llogaridhënia publike do të thotë përfshirje e të gjithë qytetarëve pa përjashtim në këtë proces”, tha Balla.

“Në çdo takim publik do të mbahet shënim çdo ankesë dhe sygjerim dhe në fund të këtij procesi do të hartohet një raport përfundimtar që do t’i paraqitet Asamblesë në mes të korrikut”, tha Balla.

Balla informoi po ashtu edhe për nismën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila do të depozitojë në Kuvend një projektligj që ka të bëjë me nismën ligjvënëse të qytetarëve dhe shtetasve të Shqipërisë.

“Qytetarët nuk kanë nevojë për firmën e deputetëve, por mund të marrin vetë një nismë ligjore për ta depozituar në Kuvend. Ky është një hap i rëndësishëm në bashkëqeverisjen me njerëzit”, theksoi Balla.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Balla, tha se “pas rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, tashmë mund të bëjmë realitet Shqipërinë Europiane, një prej shtyllave kryesore të programit të PS-së”.

Kemi një rrugë të gjatë përpara që Shqipëria të shndërrohet në vend anëtar me të drejta të plota në BE, tha Balla, duke shtuar se, nga ana tjetër “duhet të jemi krenar që rekomandimi i KE-së është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur”.

Ai theksoi se PS po zbaton të  gjitha angazhimet për të cilat shqiptarët na kërkuan të qeverisim të vetëm.

“Për ne është themelore përfshirja e publikut në vlerësimin se çfarë ne kemi bërë në këta 6 muaj dhe çfarë mund të kishim bërë më mirë. Ndaj duhet të fillojmë prej ditës së parë të majit deri në fund të qershorit, një proces të plotë llogaridhënie në 321 njësitë administrative, në 61 bashki dhe 12 qarqe të vendit”, tha Balla.

Për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e PS-së me popullin shqiptar, sipas Ballës, “deri tani grupi parlamentar ka marrë dhe po merr çdo ditë në analizë secilin prej ministrave për të shqyrtuar kontratat e performancës me secilin për sektorin që ata kanë”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjashtë fëmijë me leucemi, trajtim falas në Athinë çdo vit
Artikulli tjetërShërbimi e-Kioskë në Tiranë lehtësi për qytetarët, ja dokumentet që mund të tërhiqni