Spitali i Lushnjes me centralin e ri të sterilizimit
Spitali i Lushnjes me centralin e ri të sterilizimithttps://ata.gov.al/2018/04/26/spitali-i-lushnjes-me-centralin-e-ri-te-sterilizimit/Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizitoi sot spitalin e Lushnjes për të parë nga afër punimet në centralin e ri të sterilizimit, i cili do t’i shërbejë edhe spitaleve rajonale të Fierit dhe Beratit. Me ofrimin e shërbimit të çertifikuar të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, realizohen sot 46 mijë ndërhyrje në spitalet tona me standarde të larta. Po ashtu, ulet probabiliteti i infeksioneve spitalore si dhe rritet cilësia e shërbimit duke ofruar më shumë siguri për pacientët.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 26.04.2018
TIRANË, 26 prill /ATSH/ – Centrali për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë në Lushnje do të jetë gati në muajin maj.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizitoi sot spitalin e Lushnjes për të parë nga afër punimet në centralin e ri të sterilizimit, i cili do t’i shërbejë edhe spitaleve rajonale të Fierit dhe Beratit.
Me ofrimin e shërbimit të certifikuar të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, realizohen sot 46 mijë ndërhyrje në spitalet tona me standarde të larta. Po ashtu, ulet probabiliteti i infeksioneve spitalore si dhe rritet cilësia e shërbimit duke ofruar më shumë siguri për pacientët.
“Ky impiant i sterilizimit, që do të përfundojë brenda muajit maj, do të përfshijë gjithashtu shërbimin në spitalin rajonal të Fierit dhe spitalin rajonal të Beratit. Kemi zgjedhur Lushnjen për të investuar në këtë central sterilizimi me standarde siç tashmë i kemi në 9 spitalet e tjera rajonale dhe bashkiake që kemi ngritur dhe që po ndryshojnë me të vërtetë të gjithë shërbimin e kirurgjisë në vend”, – bëri të ditur ministrja Manastirliu.
Sipas saj, janë rreth 90 mijë instrumente kirurgjikale të reja të cilat përmes këtij investimi do të vihen në dispozicion të shërbimeve kirurgjikale duke përmirësuar padyshim nivelin e ofrimit të shërbimit, pasi siç shprehet ministrja, nëpërmjet këtyre instrumenteve do të kryhen edhe ndërhyrje më komplekse, të cilat nuk kryheshin më përpara në spitalet tona.
“Ky investim siguron çfarë është e rëndësishme uljen e infeksioneve post operatore”, – theksoi Manastirliu.
Investimi, përveçse me rëndësi parësore për shëndetin e popullatës, sjell edhe një tjetër përfitim, punësimet e reja. Janë 216 persona të punësuar deri tani dhe priten edhe 94 të punësuar të rinj me shtrirjen e programit kombëtar të sterilizimit brenda 2018. /a.gjonaj/ /a.g/

























