PRISHTINË, 23 Prill/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehu sot përkushtimin e qeverisë që çështja e personave të pagjetur të trajtohet me prioritet të veçantë, në mënyrë që familjarët e 1650 personave që ende figurojnë të zhdukur të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre.
I shoqëruar nga kabineti qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë të akredituara në Kosovë dhe familjarë të të pagjeturve, Haradinaj zhvilloi homazhe tek përmendorja kushtuar personave të zhdukur, në kuadër të ‘Javës për Personat e Pagjetur’.
“Sot është një ditë që rëndon shumë dhe na sjellë vuajtje dhe në kujtesë dhimbje, por që duhet gjetur forca për të ecur para”, theksoi Haradinaj.
Kreu i qeverisë u shpreh se “po ashtu të jemi bashkë që të dalim përballë kësaj teme, që është tema më e dhimbshme që e ka Kosova”.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Bajram Qerkini në fjalën e tij theksoi se “ju e dini me siguri që ne jemi duke i kërkuar edhe 1652 persona. Ne kërkojmë të na ndihmoni bashkë me vëllezërit ndërkombëtarë, që të bëjnë presion më të madh në Serbi dhe të na kthejnë njerëzit tanë të dashur“, tha ai.
Java për personat e pagjetur organizohet nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat e tjera vendore dhe ndërkombëtare. /KosovaPress/k.s/













