TIRANE, 21 Prill/ATSH/- Kryeministri Edi Rama nga Fieri deklaroi se reforma e ujit është prioritare përmes së cilës sigurohet përmirësimi i aksesit në shërbimin e marrjes së ujit të pijshëm.
“Për ne reforma e ujit është prioritare. Kemi dy objektiva, nga njëra anë është përmirësimi i aksesit në shërbimin e marrjes së ujit të pijshëm dhe nga ana tjetër përfshirja në listën e kontributorëve, domethënë pagesa e ujit sipas konsumit”, tha Rama.
Sipas tij, janë dy objektiva që shkojnë bashkë në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe transformues për ekonominë vendore dhe ekonominë kombëtare.
Kreu i Qeverisë po ashtu evidentoi se ndërmarrja e ujësjellësit të Fierit ka bërë një progres të rëndësishëm me reformën e ujit.
Sot, tha ai, kemi shifra kuptimplota që flasin për këtë progres edhe pse ka ende shumë për të bërë në këtë aspekt.
/a.gjonaj/ /a.g/






















