TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Për të përmirësuar politikëbërjen, Bashkia e Tiranës ka menduar të krijojë ura lidhëse midis komunitetit të kërkuesve dhe vendimmarrësve.
Kështu, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nënshkroi sot një marrëveshje që do të mundësojë kryerjen e kërkimit shkencor dhe do të ofrojë ekspertizë dhe evidenca për disa tema të përzgjedhura për të cilat nevojiten politika dhe vendime të reja.
Në emër të delegacionit zviceran marrëveshja u nënshkrua nga Martin Dietz, Menaxher Projekti i PERFORM – një projekt që nxit kërkimet në shkencat sociale në Shqipëri.
“Deri tani jemi mësuar të punojmë ‘me vesh’, dhe kjo është okej kur bëhet fjalë për fillimin dhe trajtimin e çështjeve urgjente. Por tani e në vazhdim duhet të punojmë me partiturë, për të marrë vendime të mira, të bazuara në studime dhe të dhëna”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, duke iu referuar nevojës për patur studime dhe të dhëna solide për vendimmarrje.
“Vendimet e mira nga ana e qeverisë pothuajse gjithmonë bazohen mbi evidenca. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, kur bëhet fjalë për përdorimin e kërkimit për vendimmarrje të mira politike. Ky do të jetë një shembull i shkëlqyeshëm se si shkencat sociale mund të ndihmojnë autoritetet për të përmirësuar vendimmarrjen e tyre”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf.
“Ky program konsiston në punë praktike dhe të prekshme së bashku me Bashkinë në projekte politikëbërëse nga shkencëtarë të rinj të fushave sociale. Puna kërkimore do t’i shërbejë kërkuesve pjesëmarrës në këtë program, por edhe Bashkisë, duke i dhënë eksperiencë në marrjen dhe përdorimin e evidencave në politikëbërje. Projektet kërkimore janë raste reale. Programi do të mundësojë mentorim të kërkuesve, për të garantuar punime cilësore, si dhe mbështetje personelit të Bashkisë për përdorimin e evidencave në ciklin e politikëbërjes”, tha Martin Dietz, Menaxher Projekti pranë PERFORM.
Ku qëndron marrëveshja?
Bazuar në këtë marrëveshje, Bashkia ka identifikuar një numër temash/fushash për të cilat nevojitet kërkim profesional duke ia përcjellur PERFORM. Programi do ta delegojë punën kërkimore për temat e përzgjedhura tek akademikë dhe studiues të rinj. Kërkuesit do të trajnohen në mënyrë që ta orientojnë punën e tyre drejt rekomandimeve për politika dhe vendimmarrje. Në fazën finale të bashkëpunimit, Bashkia do të zotërojë një masë të mirë me studime dhe rekomandime për të zhvilluar politikat dhe vendimet e saj.
Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë politikëbërjen duke ofruar kapacitete kërkuese me theksin tek shkencat sociale, duke krijuar kështu ura lidhëse midis komunitetit të kërkuesve dhe vendimmarrësve.
PERFORM do të angazhojë ekspertë nga International Centre for Policy Advocacy (ICPA) dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP), një tjetër institucion me mbështetje zvicerane, për të rritur kapacitetet e studiuesve të cilët do të punojnë për projektet kërkimore. /z.tosku//r.e/























