Ballina Aktualitet

100+, program për fshatin

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Programi i ri “100+” do të hapet në fund të muajit prill dhe fshatrat të cilat tregojnë se kanë shpirtin e komunitetit dhe bashkëpunimit do t’i shtohen këtij programi.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi gjatë analizës së punës gjashtëmujore të këtij mandati, përpara grupit të PS.

Pasi renditi disa nga prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e bujqësisë dhe jo vetëm, Peleshi u shpreh se fshatrat, të cilat do t’i bashkëngjiten këtij programi duhet të kenë shpirtin e komunitetit.

“Në fund të prillit do ta rihapim këtë program të cilin do ta quajmë ‘100+'”.

Do të shtojmë disa fshatra të tjerë, të cilët duhet të tregojnë se kanë shpirtin e komunitetit dhe kjo është prova e këtyre fshatrave për të cilat duhet të bindin.

Peleshi: Kemi vendosur një standard për sigurinë ushqimore

Gjatë fjalës së tij ministri Peleshi u ndal edhe te siguria ushqimore duke e cilësuar atë si një çështje mjaft të ndjeshme jo vetëm për shëndetin e konsumatorit shqiptar, por edhe për aspektin ekonomik që ka ky proces.

Sipas Peleshit nëse Shqipëria bind në sigurinë ushqimore, BE do të hapte rrugët e eksportit për prodhimet shtazore shqiptare.

“Së pari është siguria ushqimore, për të cilin kemi vendosur një objektiv, arritjen e standardit të sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore jo thjesht si çështje delikate dhe sensitive për shëndetin e konsumatorit shqiptar, padyshim që kjo është kryesorja, por edhe për aspektin ekonomik që ky proces ka.

Nëse ne do të arrimë të bindim strukturat e BE-së, se Shqipëria ka një sistem të sigurisë ushqimore të besueshëm, BE do të hapte rrugët e eksportit për prodhimet shtazore, çka do të thoshte që ky sektor do të kontribuonte më tepër në rritjen e eksporteve dhe ekonominë shqiptare.”

Peleshi: Eksportet u rritën me 20 %, kemi ulur deficitin tregtar

Përsa i përket deficitit tregtar, ministri Peleshi u shpreh se ka ende shumë punë për të bërë, pasi Shqipëria importon 600 mln euro më shumë ushqime se sa eksporton.

“Deficiti tregtar është 600 mln euro.

Në këtë 600 mln kemi hapësirë për ta reduktuar sa më tepër, duke rritur eksportet dhe ulur importet.

Kemi filluar para 4 vitesh me një deficit tregtar 1 me 6.7 në terma relativë, importonim 6.7 më shumë se sa eksportonim; sot importojmë 3.7 herë më shumë se sa eksportojmë, dhe duam të shkojmë në 1 me 3 në vitet në vijim.

Eksportet u rritën me 20 %.

Jemi fokusuar te 15 produkte, pikërisht për të ekonomizuar forcat tona, sepse këto produkte kanë më shumë potencial eksporti, si domatja, perimet e serave në përgjithsi, si dhe bimët medicinale të cilat i ekportojmë 30 herë më shumë se sa importojmë bimë medicinale.

Te skemat tona të mbështetjes japim më shumë investime për aplikantët të cilat janë grupe fermerësh, të cilat shkojnë në 14″.

Peleshi: Po finalizojmë edhe përjashtimin nga TVSH të SHBB-ve.

Ministri Peleshi theksoi se heqja e TVSH-së për SHBB-të, do t’i bënte këto të fundit të barabartë përballë fermerëve, të cilëve u kompensohej TVSH-ja.

“Fermerët individualë me xhiro më pak se 5 mln lekë u kompensohej TVSH-ja.

Me përjashtimin nga TVSH të SHBB-ve ne e bëjmë këtë të fundit të pa disavantazhuara krahasuar me fermerin.”

Peleshi: Titujt e pronësisë prioritet i qeverisë shqiptare

Përsa i përket problemeve të titujve të pronësisë për fermerët, ministri Peleshi theksoi se zgjidhja e këtij problemi ka hyrë në një rrugë të mirë dhe po ecën me ritme të mira.

“Titujt e pronësisë është një nga dobësitë e mëdha që ne kemi në thithjen e investimeve dhe energjizimin e tregut të tokës dhe është një nga prioritet e qeverisë shqiptare.

Procesi ka hyrë në një rrugë të mirë me një rritëm të mirë.

Deri në fund të vitit është koha kur fermerët duhet të pajisen me tituj pronësie.

Këtu bashkëpunimi me kryetarët e bashkive është i domosdoshëm, kemi ndërtuar një rrjet me përfaqësues nga çdo bashki.

Do marrë një shpejtësi tjetër, sidomos regjistrimi i titujve të pronësisë kur të krijohet agjencia e pronës duke filluar nga qershori i këtij viti, që do të jetë në eficencë në muajin shtator të këtij viti.”/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDoni të qëndroni të rinj? Filloni nga tavolina
Artikulli tjetërITALI – Policia arreston 22 anëtarë të “Cosa nostra”-s