Komedia franceze “Darka e lamtumirës” nis turin në rrethe

TIRANE,12 Prill/ATSH/ – Komedia franceze “Darka e lamtumirës” pas skenës së Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” po vijon turin në rrethe. Për tre net shfaqja me regji nga Kiço Londo do të jetë premierë në qytetin e Durrësit.

Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, komedia “Darka e lamtumirës” e cilësuar fantastike nga kritika vjen në skenë me aktorët Gazmend Paja, Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj.
Shfaqja ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe do të vijoj dhe në datat 12 dhe 15 prill për publikun artdashës durrësak.

Kjo shfaqje depërton në historinë e dyshes Pierre e Clotilde, të cilët përpara se të marrin pjesë në darkën e radhës që nuk e kanë me qejf të shkojnë, marrin një vendim: Të spastrojnë shoqëritë e konsumuara.

Kështu, ata do të organizojnë një darkë lamtumire, që është një përzierje homazhi e lehtësimi për miqtë që do të dalin nga jeta e tyre. Viktima e parë do të jetë pikërisht miku i tyre prej vitesh, Antoine Royer.

Por, midis Pierres që është burracak e i mefshtë dhe Clotildes së paparashikueshme e mikut të çuditshëm, gjërat do të dalin jashtë kontrollit dhe darka nuk do të shkojë siç ishte planifikuar prej tyre.

Për të zbuluar më shumë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe a do të ketë një lamtumirë të vertetë në këtë darkë publiku do ketë mundësinë ta shijoj duke parë shfaqjen ”Darka e lamtumirës” ./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.