PRAGË, 6 prill /ATSH-ANSA/ – Negociatat për formimin e koalicionit qeveritar mes lëvizjes populiste ANO dhe social-demokratëve (SPD) kanë dështuar.
Lëvizja ANO, e kryeministrit në ikje, Andrej Babis nuk ka pranuar asnjë prej skenarëve të propozuar nga social-demokratët (SPD), çka do ta përjashtonte atë nga posti i kryeministrit.
Partia Social-demokrate kishte pranuar të bëhej pjesë e këtij koalicioni me kushtin që Babis të përjashtohej nga funksioni i kryeministrit. Përveç kësaj, social-demokratët kishin kërkuar pesë ministri, mes të cilave atë të Brendshme dhe të Financave.
“Lëvizja ANO ka hedhur poshtë të gjitha propozimet tona konstruktive dhe nuk mbetet gjë tjetër vetëm të heqim dorë nga negociatat”, tha Jan Hamacek, lideri i Partisë Social-demokrate.
Rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve legjislative, Republika Çeke është drejtuar nga kryeministri, Andrej Babis, fitues i zgjedhjeve, por që nuk ka marrë votëbesimin e Parlamentit./ /ec/ a.jor.























