Protesta në “Rrugën e Kombit”, Meta: Nuk kemi luksin as të këpusim një lule

TIRANË, 6 Prill/ATSH-Maela Marini/.- “Ne nuk kemi luksin as të këpusim një lule”, u shpreh të premten Presidenti Ilir Meta, duke komentuar protestat e dhunshme të organizuara kundër vendosjes së tarifës në “Rrugën e Kombit”.

Pas aktivitetit “Aleanca Kombëtare e Studentëve Senatorë”, Presidenti Meta iu përgjigj interesimit të medias lidhur me protestat në “Rrugën e Kombit” dhe aksionin e opozitës për mosbindje civile.

“Jam përpjekur të jap mesazhet e duhura por dua të theksoj se ne nuk kemi luksin as të këpusim një lule, meqënëse kanë nisur të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak të dëmeve që ka pësuar vendi në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe fryma e përjashtimit dhe e konfrontimit”, tha Meta.

Sipas tij, “është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar”.

“Është e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore dhe vendore për çdo taksë që paguajnë apo shërbim që duhet t’u ofrohet. Shpresoj në një reflektim të përgjithshëm dhe në vendosjen e një dialogu, i cili ndihmon në përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit dhe të besimit dhe të respektit te institucionet e përbashkëta”, tha Meta.

I pyetur mbi aksionin e opozitës për mosbindje civile, Meta tha se “mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë: opozita ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë instrumentat e saj për të rritur kontrollin parlamentar”.

“Ashtu sikurse edhe maxhoranca besoj do të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, komunitetet dhe qytetarët, që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe konflikte, që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe as një qeverisje më të mirë dhe një demokracie për të cilën  të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë”, tha Meta.

I pyetur mbi thirrjet e opozitës për mospagim të taksave, Meta tha se “mendoj se ky vend qëndron në bazë të kontributit të çdo qytetari, por edhe çdo taksapaguesi”.

Në këtë drejtim, vijoi ai, qeveria dhe opozita të rrisin bashkëpunimin dhe transparencën në respekt të qytetarëve shqiptarë në radhë të parë dhe gjithë kërkesave dhe pretendimeve të tyre, por edhe taksapaguesve shqiptarë që mbajnë edhe shtetin edhe institucionet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.