RIO DE ZHANEIRO, 6 prill /ATSH-AFP/ – Gjyqtari brazilian, Sergio Moro lëshoi një mandatarresti kundër ish-presidentit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili do të ketë 24 orë për t’u paraqitur tek autoritetet për të vuajtur dënimin me 12 vjet e një muaj burg për korrupsion.
“Në kuadër të funksionit që mban, ai do të ketë mundësinë të paraqitet vullnetarisht në policinë federale të Curitibas (Jug) deri në orën lokale 17:00 më 6 prill”, thekson gjyqtari Moro në mandatarrestin e lëshuar.
Gjykatësi nuk ka autorizuar përdorimin e prangave gjatë arrestimit.
Gjyqtari emblematik i luftës antikorrupsion në Brazil, Sergio Moro e dënoi Lulan në instancën e parë në muajin korrik, një gjykim i konfirmuar në apel në mes të janarit.
Dje në mesnatë, Gjykata e Lartë e Brazilit hodhi poshtë një kërkesë që do t’i mundësonte ish-presidentit (2003-2010) të qëndronte në liri deri në shterimin e të gjitha mjeteve juridike.
Lula, 72 vjeç, u dënua për marrjen e një apartamenti luksoz në bregdet nga ana e një kompanie ndërtimi në këmbim të favoreve për marrjen e kontratave publike./ /ec/ a.jor.























