Kosovë – Fillon punën Grupi Drejtues për hartimin e Statutit të Shoqatës së Komunave Serbe

– Nga 38 komunat e Kosovës, 10 janë me shumicë serbe –

PRISHTINË, 5 Prill /ATSH/- Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, në një takim të përbashkët kanë rënë dakord për nisjen e punës së Grupit Drejtues për hartimin e Statutit të Shoqatës së Komunave me shumicë serbe, bëhej e ditur mbrëmjen e ditës së djeshme në njoftimin e dërguar nga Presidenca.

“E mirëpres gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për nisjen nga puna të Ekipit Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “ky është një hap tjetër i rëndësishëm i Kosovës në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare”.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova është e përkushtuar për bashkëbisedim dhe për të ndërtuar marrëdhënie të mira në mes të të gjitha bashkësive në Kosovë.

“Kosova është shembull i akomodimit të të gjitha komuniteteve dhe i promovimit të dialogut, si mjeti i vetëm për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, në Kosovë dhe në rajon”, citohet Thaçi në njoftimin e dërguar.

Ndërsa, në njoftimin e dërguar nga qeveria theksohet se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar grupin drejtues, i cili do të bëjë hartimin e statutit për Shoqatën e Komunave Serbe.

Hartimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbëhet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike.

Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kosova me këtë hap përmbush edhe një detyrim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike, përfundon njoftimi dërguar nga zyra e kryeministrit.

Në 28 mars 2018 në një tubim të serbëve në veri të Mitrovicës, të këshilltarëve serbë të 10 komunave kosovare ku përbëjnë shumicën e banorëve e përfaqësuesve tjerë, u paralajmërua formimi nga vetë ata i Bashkësisë-Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë në 20 prill, pas 5 vjetësh të Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të nënshkruar në Bruksel.

“Nëse Prishtina nuk do jetë e gatshme që në tre javët e ardhshme të fillojë punën për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, komunat serbe dhe institucionet do fillojnë vetë formimin e Bashkësisë, trupave dhe institucioneve të saj”, thuhej mes tjerash në konkluzionet e miratuara.

Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  kanë paraafruar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para ka Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raundin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohej nga opozita kosovare.

Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.

Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Në raundin e 30-të, të fundit kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016,  ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe atëherë kryeminisitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.

Në 23 mars 2018 presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijuan bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes  së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ku është biseduar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhej se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.

Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.

“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Koçijançiç.

Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në axhendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova ka gjithsej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë  5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjerimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëruan 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turq, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400./b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.