BSH: Rritja ekonomike nga zgjerimi i konsumit privat dhe trendi i investimeve

TIRANË, 28 Mars/ATSH/- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25%.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore dhe normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%.

Në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare pritet të rritet më tej në horizontin afatmesëm.

“Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se rritja ekonomike e tremujorit të parë është mbështetur nga zgjerimi i konsumit privat, nga vazhdimi i trendit rritës të investimeve, si dhe nga shpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve buxhetore. Nga ana tjetër, deficiti i shkëmbimeve tregtare në mallra u shfaq i luhatshëm: ai u zgjerua në muajin janar dhe u ngushtua në muajin shkurt”, tha Sejko.

Ai shtoi se zgjerimi i kërkesës agregate vazhdon të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rënie të papunësisë, sikundër dëshmohet nga të dhënat e tregut të punës për tremujorin e katërt.

“Ecuria pozitive e ekonomisë është mbështetur nga politika jonë monetare stimuluese, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, dhe nga zgjerimi i kërkesës së huaj për mallra e shërbime shqiptare. Gjithashtu, ajo është favorizuar nga reduktimi i huamarrjes publike, çka ka ulur primet e rrezikut dhe ka lehtësuar përcjelljen e politikës monetare në tregjet financiare”, nënvizoi Sejko.

Guvernatori tha se normat e ulëta të interesit kanë mbështetur rritjen e konsumit dhe të investimeve private, nëpërmjet nxitjes së kreditimit dhe nëpërmjet uljes së kostos së shërbimit të borxhit ekzistues.” I pastruar për efektin e kursit të këmbimit, portofoli i kredisë totale regjistroi një rritje mesatare vjetore prej 5.8% në muajt janar e shkurt. Ky zgjerim vijon të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje mesatare vjetore prej 7.2% gjatë periudhës në fjalë, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë u rrit me 4.7%.  Paralelisht me të, politika monetare lehtësuese ka ndihmuar gjithashtu reduktimin e kredive me probleme, nëpërmjet nxitjes së kërkesës dhe nëpërmjet inkurajimit të ristrukturimit të kredive. Ky tregues vijoi të qëndrojë në nivele të ngjashme me fundin e vitit 2017”, tha ai.

Këshilli Mbikëqyrës, tha ai gjykon se momenti pozitiv i ciklit ekonomik duhet të përdoret  me qëllim intensifikimin e reformave strukturore, të cilat duhet të nxitin më tej ritmin e rritjes ekonomike dhe të përmirësojnë rezistencën e saj ndaj goditjeve.

“Në veçanti, këto reforma duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe zgjerimin e potencialit prodhues të vendit”, përfundoi Sejko. /a.gegvataj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.