Ballina Ekonomi

Testohen sportelet në rrugën e Kombit, së shpejti data e aplikimit të pagesës

TIRANË, 25 Mars/ATSH/.- Në Rrugën e Kombit ka nisur sot që prej orës 12:00 testimi për taksën, që do të aplikohet pas dhënies së saj me koncesion nga ana e qeverisë.

Makinat kalojnë pa ju kërkuar pagesa, por thjesht testohet nga ana teknike sistemi. Kjo do të vazhdojë deri javën e ardhshme dhe më pas do të përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.

Tarifat e miratuara janë , motorr 2.5 euro, veturat e vogla 5 euro, autobusa dhe kamionicina 11.2 euro,, kamion i mesëm 16.2 euro dhe kamion i rëndë 22.5 euro.

Në një deklaratë për shtyp, MIE sqaron se “në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës”.

Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj. Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit.

Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës së koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.

Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha reagoi sot lidhur me taksën në rrugën e Kombit që pritet të aplikohet së shpejti duke  e quajtur një akt kriminal që dëmton edhe ekonominë e Shqipërise, duke rritur koston për shërbimet dhe produktet dhe duke goditur qytetarët dhe bizneset, nga Kukësi e Mirdita në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Krujë, Tiranë dhe në Portin e Durrësit.

Sipas tij, edhe turizmi do të pësojë një goditje të rëndë.

Basha tha se qytetarët e Kosovës do ta ndiejnë të parët këtë tarifë, që është një barrierë dhe kosto e shtuar për ta.

“Partia Demokratike i qëndron premtimit të saj për të shfuqizuar që ditën e parë në pushtet taksën e qarkullimit si dhe për të hetuar me transparencë çdo koncension të dhënë nga klani kriminal në krye të Shqipërisë, duke u zotuar se çdo koncension që cënon interesat e shqiptarëve do të shfuqizohet dhe përgjegjësit do të vihen përpara drejtësisë”, tha Basha.

/k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMësuesja që kontestonte provimin e shtetit, rifiton licencen
Artikulli tjetërPacolli: Greqia të rishqyrtojë njohjen e Kosovës