Ballina Aktualitet

I dhamë fund korrupsionit me lejet e ndërtimit

Veliaj: Keqardhje që opozita nuk erdhi të mbillte një pemë për qytetin. Propozimi im është puna, jo gjumi 

TIRANE, 22 Mars/ATSH/- Kreu i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se aksioni i ndërmarrë për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet gjithnjë e më shumë po kthehet në një trend që po mbështetet nga të gjithë. Teksa deklaroi se fushata është shtyrë gjer më 22 prill, Veliaj komentoi në emisionin “Real Story” edhe zërat kritikë që sipas tij ndonëse e quajnë veten ambjentalistë, nuk kanë mbjellë ende një pemë për qytetin dhe për të brezat e ardhshëm. “Ne e kemi shtyrë deri në datën 22 prill. Kemi sot teksa flasim 145 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që akoma s’i kanë mbjellë sepse ka pasur një fluks. Kush shkon te këndet e lodrave, edhe ata që sherrosën për këndet e lodrave, sot, disa të kamufluar me një kasketë detyrohen të çojnë fëmijët, se fëmijëve u pëlqen, fëmijët s’pyesin çfarë fiksimesh politike, apo inatesh. Pra në këtë sens duhet më pak histeri, më shumë punë. Ndonjëherë u them njerëzve për këta që kritikojnë: Po mirë more, Zoti ua shtoftë inatin – por ambientalistë që rrinë vetëm nëpër studio, që flasin si gjithologë, unë nuk kam parë. Njerëz që dalin deh vetëm protestojnë, por nuk mbjellin një pemë, nuk vijnë në një aksion pastrimi. Një nga keqardhjet e mia, ishte që asnjë nga opozita nuk erdhi të mbillte një pemë, përkundrazi”, tha Veliaj, teksa thekson se propozimi për qytetarët e Tiranës është për më shumë punë.

“ E them shpesh që unë këtë punë dashuroj. Njerëzit në mandatin përpara këtij, ishin të mërzitur me një kryetar që flinte gjumë. Pra gjëja e parë që thoshin: është përtac, fle, gërhet. Në momentin që ti ke këto sinonime dhe pritshmëritë e tyre ishin për dikë që punon, që përvesh mëngët, që është prezent në çdo orë të ditës, që qyteti jeton 24 orë, që janë hapur disa kantiere, ishte gjëja që donin. Nëse njerëzit prisnin punë, morën punë. Për këdo që votoi për punë, punë ka pasur. Dhe propozimi im është të kemi akoma më shumë punë”, deklaroi kreu u Bashkisë. 

Një kontribut të rëndësishëm për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet kanë dhënë dhe qytetarët dhe kompanitë. Veliaj shprehet se kjo shifër arrin deri në 4 milionë euro. Kryebahskiaku Veliaj deklaroi se pas zgjerimit të Tiranës, është më shumë përgjegjësi, por edhe një privilegj. “Një nga gjërat që unë kam në memorien time, të Edi Ramës në krye të bashkisë, ishte kjo fushata e pemëve. Sot, zgjerimi i Tiranës, sigurisht është më shumë përgjegjësi. Do të thotë që edhe mundësia për t’u zgjeruar, për të bërë një Pyll Orbital përreth unazës së madhe, sigurisht që është privilegj, përgjegjësi, por është edhe mundësi. Dhe në dallim nga skenarë të tjerë, fati im është që unë punoj me Edi Ramën. Të punosh me një kryetar të qeverisë dhe që ka qenë menaxher qyteti dhe që di ekzaktësisht ku janë nevojat, sigurisht që puna ime është më e lehtë, sesa kur Edi Rama punonte me Sali Berishën fjala vjen dhe disa prej projekteve bllokoheshin”, tha Veliaj.

Tirana ka nevojë çdo vit për 7 mijë apartamente. I dhamë fund korrupsionit me lejet  

Tirana ka nevojë për 6-7 mijë apartamente në vit, tha Veliaj duke shtuar se çdo vit në kryeqytet vijnë 25-30 mijë qytetarë që ë bën të domosdoshme dhe zhvillimin e qytetit. Ndryshe nga vitet e mëparshme, Veliaj theksoi se tashmë kryeqyteti ka një plan të detajuar dhe se lejet e ndërtimet jepen në përputhje me të në mënyrë transparente. “Ajo që unë kam thënë që në fillim dhe në fushatë, është që patjetër që nuk do ketë leje për sa kohë që nuk ka plan. Pra bashkia përpara nesh, sipas kërkesës, ashtu i jepte. Bashkia sot është komplet tjetër gjë. Ka marrë planin francez të Edi Ramës , pra një plan për qendrën e Tiranës, pra për ato kulla që parashikoheshin në qendër, ka bërë një plan për të 24 njësitë vendore, ka parë statistikat e INSTAT-it ku çdo vit në Tiranë vijnë 25 – 30 mijë banorë, do të thotë që janë të paktën nevojat për 6-7 mijë apartamente në Tiranë dhe pasi ka hartuar këtë plan, jep këto leje. Nëse qyteti nuk ka plan, ne nuk japim dot leje ndërtimi dhe ne për 2.5 vite nuk dhamë leje”, deklaroi Veliaj. 

Ai theksoi se taksa për ndërtimin është 10-fishuar, ndërkohë që financat e Bashkisë janë 3-fishuar, të ardhura që shkojnë për më shumë rrugë, shkolla çerdhe. “Bashkia sigurisht që duhet të sigurojë të ardhura mjaftueshëm, që të bëjë shkolla, kopshte, çerdhe për këta 30 mijë  që vijnë çdo vit. Ne thamë që për të gjithë këta që zhvillojnë, na rezulton që me çmimet e tregut këta kanë fitime kolosale, kjo do të thotë që ne do ta 10-fishojmë taksën. Sot nëse oligarkët, ndërtuesit, zhvilluesit, biznesmenët kanë një kundërshtar që realisht u ka rënë, i ka prerë në mes, për të cilën shkuan edhe në Gjykatën Kushtetuese, është Kryetari I Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri I vendit. Unë e propozova, Edi e miratoi. Me 10- fishin e taksës ne kemi një bashki që ka financa 3 herë më shumë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se tashmë I është dhënë fund edhe korrupsionit me lejet e ndërtimit. “Kjo taksa njësoj paguhej, i paguhej kunatit të Lulit. Pra nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë kaq e thjeshtë, këtu ka ndryshuar filozofia”, tha ai teksa siguroi se nuk është cenuar asnjë hapësirë publike. “As Edi Rama, as unë nuk kemi cënuar kurrë hapësirën publike. Ka qënë gjithmonë një hapësirë private. I është shitur ndonjëherë në ndonjë rast publikut, sikur ka qenë hapësirë publike, ka qenë private, pavarësisht se s’kanë pasur Pazar me kunatin, siç na doli ai rasti atje?! S’kishin gjetur Pazar me kunatin dhe meqë nuk gjetën, bashkia me forcë e bëri lulishte, por ajo është në hipotekë private. Asnjëherë nuk është cenuar hapësira publike, është 10 – fishuar taksa, është një sektor që punëson njerëz”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Nëse PD i ka varur shpresat tek cic –micet me Ramën, atëherë do jetë gjithë kohën në opozitë 

Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet i gatshëm që të kandidojë për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës nëse Partia Socialiste do ti jap sërish besimin për ta propozuar në zgjedhjet që mbahen vitin tjetër. Në emisionin “Real Story”, ai ka theksuar se ka deri më tani ka justifikuar plotësisht besimin që i dhanë qytetarët në 2015 dhe se për këtë arsye do ta mirëpriste një kandidim të dytë nga ana e Partisë Socialiste. Veliaj ka folur edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ndihej i nderuar që bashkëpunonte me të çdo ditë për transformimin e qytetit dhe se ata të dy ishin një ekip. Ndaj ai ka hedhur poshtë çdo përpjekje të opozitës për të bërë diversion mes tyre, ndërsa ka theksuar se nëse ajo pritshmëritë e veta politike i ka bazuar tek mosmarrëveshjet mes tyre atëherë ajo do mbetet gjithë kohës në opozitë.

Brenda pesë viteve ujë 24 orë, Tirana me çmimin më të ulët

Brenda pesë viteve, Tirana do të ketë furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm. Ky është premtimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, gjatë kësaj interviste.

“Nga dita e parë kur ne do të fillojmë investimin në Bovillë, unë ju kam thënë të gjithëve filloni kronometrin. Ne për 5 vjet do e kemi Tiranën 24 orë ujë. Në fund të mandatit të dytë do të kemi 24 orë ujë. Ndërkohë që kemi ndërtuar tani një kompani të shëndoshë që tashmë vijnë të tjerët të financojnë”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë së Tiranës komentoi dhe çështjen e ndryshimit të çmimit duke theksuar se sërish kryeqyteti ka çmimin më të ulët, ndërkohë që është rritur dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të paguar ujin. “ Çmimi i ujit në Tiranë është 65 lek për metër kub. Çmimi i ujit në Kamëz, në Bathore, në Paskuqan, në Babrru, pra në zonat më të varfër të Shqipërisë qendrore është 67 lek plus 2 lek kanalizime aforfe. Një lum, na ndan ne Bathoren dhe Kamzën. Atje është 80 për qind e popullsisë në ndihmë ekonomike. Këtu është 80 për qind e popullsisë e punësuar. Sot Bashkia e Tiranës hyn te bashkitë me çmimin më të ulët të ujit. Sigurisht kur uji ishte komplet falas, ujin aq lirë ti e lije çezmën hapur. Njerëzit janë bërë më të kujdesshëm, përdorin vetëm ujin që duan”, u shpreh ai. /a.gegvataj/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Turqi, projekte të reja në turizëm e energji
Artikulli tjetërParashikimi i motit, 23 Mars 2018