TIRANË, 17 Mars / ATSH / – Kompanitë italiane e konsiderojnë Shqipërinë një partner të privilegjuar, jo vetëm për afërsinë gjeografike, por edhe për lidhjet historike dhe kulturore, të cilat lehtësojnë mirëkuptimin reciprok.
Mbi 200 sipërmarrës nga Italia zbritën rreth 3 javë më parë në Tiranë, për të marrë pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Itali, me qëllim zgjerimin dhe ngritjen e urave të reja të bashkëpunimi dypalësh.
Në një intervistë për ATSH-në, Drejtoresha e Agjencisë Italiane të Tregtisë, Elisa Scelsa, thotë se misioni i sipërmarrjeve në Tiranë në fakt ka përfaqësuar një rast të rëndësishëm për thellimin e mundësive tregtare dhe investimeve të ofruara nga tregu shqiptar, edhe në kuadrin e një partneriteti publik-privat.
“Pjesëmarrësit, kompani individuale dhe shoqata të kategorisë, kanë pasur mundësinë të marrin një sërë informacionesh mbi ekonominë dhe klimën e biznesit në Shqipëri, perspektivat dhe strategjitë e përgjithshme dhe sektoriale të zhvillimit për periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, deklaroi ajo.
Ky informacion sipas Scelsa, erdhi falë bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes së administratës kompetente dhe dëshmive të sipërmarrjes në panelet mbi sektorët fokus infrastrukturën, energjinë dhe mjedisin, bujqësinë dhe përpunimin ushqimor.
“Kompanitë italiane e konsiderojnë Shqipërinë një partner të privilegjuar, jo vetëm për afërsinë gjeografike por edhe për lidhjet historike dhe kulturore, të cilat lehtësojnë mirëkuptimin reciprok. Jemi partneri i parë tregtar dhe përthithim mbi 50% të eksporteve shqiptare. Shkëmbimet tona tregtare janë konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në 20 vitet e fundit, me një rritje me shifër të dyfishtë e cila në 2017 i ka takuar si importeve të produkteve shqiptare në Itali (+14.3% në nëntor me bazë vjetore) ashtu edhe eksporteve italiane drejt Shqipërisë (+8.9%)”, shprehet drejtoresha e ICE-s.
Ajo vuri në dukje se shumë kompani italiane kanë investuar në vend dhe do të vazhdojnë ta bëjnë, ashtu sikurse vihet në pah edhe nga stoku i investimeve direkte, me një rritje prej 604.4 milionë euro në 2016, sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë.
“Këto rezultate vijnë në sajë të hapave përpara të ndërmarra nga Shqipëria në sektorë të konsideruar strategjikë për zhvillim dhe besimit të sipërmarrjeve italiane në potencialitetet e vendit. Sidoqoftë, hapësirat për përmirësimin e klimës së biznesit janë ende shumë të gjera. Sidomos në fushën e transparencës, siguria e së drejtës, drejtësia, praktikat administrative, proçedurat doganore dhe lejet. Kompanitë italiane janë të vetëdijshme dhe vrojtojnë me vëmendje çdo zhvillim”, deklaroi Scelsa.
Drejtoresha e ICE-s rendit edhe disa nga sektorët që shihen më me interes për investime nga sipërmarrja italiane në vendin tonë.
“Sektorët me më shumë interes janë natyrisht ato në të cilët Italia është e specializuar. Sektorët ku kompanitë tona janë të mirëpozicionuara në zinxhirin ndërkombëtar të vlerës dhe në të cilat zhvillohen sinergji të mëtejshme me partnerët rajonalë: mekanika, ndërtimi dhe infrastruktura, agro-ushqimi, energjitë e rinovueshme dhe green tech, tekstil-veshje, sektori kimik. Në këto fusha kemi arritur nivele tepër të larta teknologjike dhe praktika të mira për t’u ndarë për përballimin e tregut botëror”, thotë ajo.
Lidhur me klimën e të bërit biznes, drejtoresha e ICE-s, shprehet se janë bërë përmirësime të dukshme në vitet e fundit, ndërsa nënvizon se reforma në drejtësi është një hap i parë thelbësor për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit.
“Klima e biznesit duhet përmirësuar akoma dhe premisat për ndryshime të shpejta janë të gjitha. Duke dëshiruar që bisedimet për anëtarësim të mund të hapen me të vërtetë brenda prillit të këtij viti, vendi megjithatë mund dhe duhet të shfaqë aftësinë të anëtarësohet me titull të plotë në tregun e përbashkët. Nuk është e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë por personalisht mendoj se është në interes të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të ndërmarrjeve. Në këtë kontekst, reforma në drejtësi është një hap i parë thelbësor për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit”, deklaroi Scelsa.
/a.gjonaj/ /a.g/























