Ballina Kulturë

“Centaur” ndërthurja e njeriut të kohëve moderne me teknologjinë në FAB

TIRANE,16 Mars/ATSH/ – Artisti Viktor Ferraj përmes figurës mitologjike “Centaur” sjell për publikun ndërthurjen e njeriut të kohëve moderne me teknologjinë, në ekspozitën e tij me po të njejtin emër.

Ekspozita ”Centaur” e çelur për publikun në galerinë e artit FAB, vjen e kuruar nga Petraq Papa dhe ekspozon për herë të parë punimet në qeramikë dhe tablo pikture për artdashësit që pëlqejnë artin e pikturës.

Përmes punimeve në skulpturë dhe pikturë artisti e fton publikun të reflektojë mbi shpirtin, duke risjellë në kujtesë faktin se në botën antike ky lloj bashkimi mes njeriut edhe kafshës shprehte vitalitetin, forcën dhe energjinë, që natyra i jepte atij dhe ai ndihej pjesë e saj.

Në fytyrat e personazheve dhe objekteve që artisti ka krijuar, dallohet dhe rikthimi i centaurëve të rinj. Centauri vjen këtë herë pa trup kali apo rrota motorri, por si një krijesë e përzier në kërkim të një harmonie të re.

Artisti Ferraj me ekspozitën personale sjell punët e tij, përmes gërshetimit dhe ndjesisë së tij artistike, punime që publiku do ti gjejë në galerinë FAB deri më 19 mars./a.a/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Maas: Gjermania kërkon partneritet të ngushtë me Poloninë
Artikulli tjetërPacolli – Daçiçit: Shtetësia e Kosovës, punë e kryer