Pacolli – Daçiçit: Shtetësia e Kosovës, punë e kryer

PRISHTINE, 16 Mars /ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka shprehur keqardhje për përpjekjet e Bosnjës për të përjashtuar Kosovën nga takimi  i përbashkët i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Pacolli mori pjesë në takimin e mbajtur në Sarajevë, me drejtues të lartë të Komisionit Evropian dhe Britanisë së Madhe,  në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian.

Takimi u hap nga ministri i jashtëm i Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili ia kaloi fjalën ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në emër të  Bullgarisë, vend që kryeson Bashkimin Europian.

Duke i u përgjigjur ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili vuri në diskutim pjesëmarrjen e Kosovës në Sofje, në takimin e ardhshëm organizuar nga Bullgaria, Pacolli tha se shtetësia e Kosovës është diçka e kryer.

“Ne do të jemi bashkë në Sofje, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian”shprehet Pacolli

Më pas, ministri Pacolli foli për implikimet e Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Europian në veprimtarinë e qeverisë së Kosovës, brenda vendit dhe në marrëdhëniet me rajonin dhe BE-në.

Ministri Pacolli nënvizoi faktin se strategjia e konfirmoi anëtarësimin e sigurt në të ardhmen e afërt të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, diçka që tashmë u bë e qartë dhe për Serbinë.

Gjithashtu ai kërkoi liberalizimin e vizave me BE-në, sepse  Kosova nuk mund të bëhet vrima e zezë e Europës.

Sa i përket Zonës së Përbashkët Ekonomike në rajon, Pacolli tha se e mirëkuptonte qasjen e Bashkimit Europian që e shihte këtë zonë si paradhomën e integrimit.

Në fund, Pacolli iu drejtua homologut të tij boshnjak me shaka: “duhet ta mbyll shpejt fjalimin, sepse qëndrimi im në Bosnje, është vetëm për dy ditë sipas vizës që më dhatë”.

Ministri i jashtëm Pacolli bëri thirrje që të lehtësohen kontaktet midis qytetarëve boshnjakë të Kosovës, apo kosovarëve në përgjithësi, dhe Bosnjës, në përputhje me frymën e bashkëpunimit rajonal.

“Ne mbetemi të angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian, zbatimin e marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, ashtu si dhe në Dialogun e Lehtësuar prej BE- për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dy palët. Po rrisim bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, madje dhe me Greqinë që e mbështet integrimin tonë europian”, tha ai.

Sipas një komunikate të MPB-së, drejtori i Zgjerimit, Kristian Danielson, në emër të Komisionerit Hahn, ilustroi pritshmëritë e Bashkimit Europian prej vendeve të Ballkanit në reforma dhe në bashkëpunim rajonal.

“Ballkani është bërë prioriteti numër një për Komisionerët Mogherini dhe Hahn dhe gjithë Bashkimin Europian, dhe ju duhet të kapni momentin e artë”, ju drejtua Drejtoresha për Ballkanin dhe Turqinë në Komision, Angelica Eichhorst, ministrave të Ballkanit.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, bëri thirrje për më shumë realizëm prej Bashkimit Europian, duke i kërkuar më shumë qartësi për afatet, instrumentet, mjetet, në dispozicion të zgjerimit të vendeve të Ballkanit.

Duke iu referuar Procesit të Berlinit, iniciativë e Bashkimit Europian për të nxitur bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturor etj, midis vendeve të Ballkanit, shefi i diplomacisë kosovare propozoi krijimin e një Zone të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës dhe Jugut të Serbisë, si një veprim asimetrik, që do të sillte zhvillim ekonomik, do të normalizonte marrëdhëniet ndëretnike dhe do të relativizonte rëndësinë e kufijve. /KosovaPress/ /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.